Nga Gazeta ‘Si’- Në Shqipëri një pjesë shumë e madhe e punëtorëve nuk arrijnë të jetojnë rehat me pagën e tyre.
Sipas të dhënave nga anketa Europiane e kushteve të punës, 39% e të punësuarve shqiptarë deklarojnë se e kanë të vështirë ose shumë të vështirë të mbyllin muajin. Kjo e bën Shqipërinë vendin më vështirësitë më të larta ekonomike në kontinent.
Në rajon, pas Shqipërisë, niveli më i lartë i vështirësive për të përballuar shpenzimet regjistrohet në Kosovë, me 18%. Bosnja dhe Hercegovina paraqitet gjithashtu me një nivel relativisht të lartë, prej 13%.

Në vendet e tjera të Ballkanit, treguesi është më i ulët. Serbia dhe Maqedonia e Veriut raportojnë nga 9%, Kroacia 8%, ndërsa Mali i Zi ka nivelin më të ulët në rajon, me 7%.
Mesatarisht në BE vetëm rreth 8% e punëtorëve raportojnë vështirësi serioze financiare për të përballuar jetesën. Polonia e ka këtë tregues vetëm 1%.
Raporti tregon se ekziston një lidhje e fortë midis tipologjisë së familjes dhe nivelit të vështirësisë financiare. Prindërit e vetëm janë ndër grupet më të prekura, me rreth 43% që raportojnë vështirësi për të përballuar shpenzimet, ndërsa nënat e vetme janë edhe më të ekspozuara, me 46%. Po ashtu, familjet me fëmijë hasin më shumë vështirësi (31-37%), ndërsa edhe personat që jetojnë vetëm në moshë pune përballen me probleme financiare në rreth 28% të rasteve.
Të dhënat tregojnë gjithashtu se siguria financiare varet shumë nga lloji i punës dhe kontratës. Punëtorët me kontrata të përkohshme, të vetëpunësuarit ekonomikisht të varur dhe ata pa kontratë janë më të rrezikuarit, me 36% deri në 42% që kanë vështirësi për të përballuar jetesën. Punët më të thjeshta dhe të pakualifikuara kanë nivelet më të larta të vështirësisë (deri në 49%), ndërsa profesionet e kualifikuara si menaxherët, teknikët dhe profesionistët kanë shumë më pak probleme, zakonisht nën 20%.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje