Analize

A po shkojnë Europa dhe Amerika drejt një ‘divorci’?

Nga Gideon Rachman*- Forca Ajrore e SHBA-së u vendos në Lakenheath në Britani në vitin 1948. Baza ajrore Ramstein u krijua në Gjermani në fillim të viteve 1950. Sot ka mbi 40 baza ushtarake amerikane në Europë, ku shërbejnë rreth 85 mijë trupa.

Por asgjë nuk zgjat përgjithmonë. Dhe, për herë të parë në jetën time, duket e mundshme që prania ushtarake amerikane në Europë të marrë fund.

Shkaku i menjëhershëm është lufta në Iran.

Hezitimi i vendeve europiane- madje edhe refuzimi i herëpashershëm- për t’i lejuar SHBA-të të përdorin bazat e tyre në Europë për operacione në Iran, e ka zemëruar Donald Trump, i cili i ka quajtur europianët “frikacakë” dhe NATO-n një “tigër prej letre”.

Marco Rubio ka pyetur drejtpërdrejt pse Amerika duhet të mbajë baza në Europë – nëse nuk mund t’i përdorë ato kur situata bëhet kritike.

Administrata Trump besohet se po shqyrton një listë ndëshkimesh për aleatët europianë pas përfundimit të luftës në Iran. Ndër idetë e përfolura janë përjashtimi i Spanjës nga NATO dhe tërheqja e njohjes së sovranitetit britanik mbi Ishujt Falkland.

Kreu i NATO-s Mark Rutte dhe presidenti i SHBA Donald Trump

Megjithatë, ajo që administrata Trump mund të mos e kuptojë plotësisht është se zemërimi ekziston në të dy anët. Politikanët europianë ankohen- ndonjëherë edhe publikisht- se SHBA ka nisur një luftë të pamenduar mirë dhe të paligjshme pa u konsultuar me aleatët e saj në NATO.

Besimi europian te udhëheqja amerikane është në pikën më të ulët historike- gjë e kuptueshme kur komandanti i përgjithshëm i SHBA-së poston imazhe të vetes si një figurë mesianike dhe kërcënon të zhdukë një qytetërim të tërë.

Lufta në Iran vjen gjithashtu pas një viti gjatë të cilit SHBA vendosi tarifa ndaj aleatëve europianë dhe madje kërcënoi të pushtojë Groenlandën- duke hapur një skenar absurd ku ushtarët europianë mund të përfundonin duke luftuar kundër amerikanëve.

Një sondazh i Politico i kryer këtë muaj tregoi se në Spanjë, Itali, Francë dhe Gjermani, më shumë njerëz e shohin tashmë SHBA-në si kërcënim sesa si një “aleat të ngushtë”.

Pedro Sánchez ka rifituar terren politik me kritikat e tij të forta ndaj politikës së jashtme amerikane -ndërsa edhe liderë të vendeve tradicionalisht pro-amerikane, si Polonia dhe Gjermania, po vënë hapur në dyshim udhëheqjen e Uashingtonit.

Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez

Që nga Lufta e Dytë Botërore, prania amerikane në Europë ka qenë një “perandori me ftesë”. Por disa europianë po tundohen gjithnjë e më shumë ta tërheqin këtë ftesë.

Pra, kush do të humbiste më shumë- SHBA apo Europa- nëse prania ushtarake amerikane në Europë do të zvogëlohej?

Për SHBA-në, kjo varet shumë nga fakti nëse ajo dëshiron ende të projektojë fuqi në Europë, Lindjen e Mesme dhe Afrikë. Pavarësisht retorikës politike në të dy anët e Atlantikut, realiteti është se SHBA po i përdor intensivisht bazat e saj europiane gjatë luftës aktuale.

Aviatori amerikan i rrëzuar mbi Iran dhe i shpëtuar me shumë gjasë ishte nisur nga Lakenheath.

Nëse SHBA do të ishte e sigurt se nuk do t’i duhej më kurrë të përdorte këto baza, mund t’i mbyllte ato. Por duke parë ndërhyrjet e shpeshta amerikane në Lindjen e Mesme (dhe në Ballkan) në dekadat e fundit, duket e pamenduar të supozohet se lufta aktuale në Iran do të jetë e fundit. Edhe blerjet europiane të armëve amerikane janë të lidhura në mënyrë të heshtur me garancinë e sigurisë që SHBA i ofron Europës. Ndërsa dyshimet për këtë angazhim rriten, po forcohet edhe tendenca për “të blerë europiane”.

Por edhe për Europën, largimi i amerikanëve do të sillte rreziqe të mëdha. Rusia vazhdon luftën në Ukrainë. Donald Tusk ka paralajmëruar se Rusia mund të sulmojë territorin e NATO-s brenda muajsh. Paralajmërime të ngjashme- ndonëse me horizonte më të gjata kohore- kanë ardhur edhe nga liderë në Berlin dhe Londër.

Siç thekson Tusk, ka gjithnjë e më shumë dyshime nëse një SHBA e drejtuar nga Trump do ta respektonte klauzolën e mbrojtjes kolektive të NATO-s.

Mark Rutte ka paralajmëruar se Europa aktualisht nuk mund të mbrohet nga Rusia pa ndihmën amerikane. Ai është bërë fytyra publike e përpjekjeve europiane për të mbajtur të kënaqur Trump me çdo kusht.

Disa liderë europianë janë më optimistë dhe theksojnë se performanca ushtarake e Rusisë në Ukrainë nuk ka qenë mbresëlënëse. Megjithatë, pranohet gjerësisht se Europa mbështetet ende te SHBA për kapacitete kyçe ushtarake, si mbrojtja ajrore, inteligjenca dhe transporti strategjik i trupave. Plotësimi i këtyre boshllëqeve mund të marrë vite. Edhe struktura komanduese e NATO-s është ndërtuar rreth udhëheqjes amerikane.

Për të gjitha këto arsye, shumica e liderëve europianë mbeten shumë të kujdesshëm për të mos e çuar deri në fund idenë e një “ndarjeje” me SHBA-në. Në të njëjtën kohë, është domethënëse që edhe skenarët e “hakmarrjes” ndaj Europës brenda administratës Trump nuk përfshijnë mbylljen masive të bazave amerikane në kontinent. Të dyja anët e Atlantikut duket se e kuptojnë se, për momentin, janë të lidhura në një martesë jo shumë të lumtur.

Për SHBA-në dhe Europën, një divorc formal ende duket një hap shumë i madh. Por të dyja palët po thonë dhe po bëjnë gjëra që nuk harrohen lehtë. Dhe në një aleancë- ashtu si në një martesë- kjo është një gjendje e rrezikshme.

Marrë nga Financial Times/Përshtati Gazeta Si

Shënim: Rachman është një nga analistët kryesorë të politikës së jashtme në FT dhe shpesh shkruan për marrëdhëniet SHBA–Europë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë