Analize

Përplasja e Trump me Iranin po shndërrohet në një makth politik për Europën

Çmimet e energjisë po rriten, rritja ekonomike po ngadalësohet dhe qeveritë e Europës, të cilat kanë vështirësi financiare, kanë pak mjete të mbetura për të mbrojtur votuesit nga pasojat.

Nga Gazeta ‘Si’- Liderët europianë po përballen me një frikë të re: përplasja mes Donald Trump dhe Iranit rrezikon të kalojë nga një goditje ekonomike në një krizë politike për qendrën tashmë të brishtë të BE-së.

Me çmimet e energjisë në rritje dhe ekonominë që po ngadalësohet, qeveritë pro-europiane po përgatiten për një situatë që kanë pak mundësi ta kontrollojnë dhe që mund të trondisë edhe më shumë boshtin politik tradicional të unionit.

Në të gjithë Europën, qeveritë në pushtet po përballen me një valë populizmi.

Në Francë, kjo mund të kulmojë vitin e ardhshëm me një fitore të National Rally, duke çuar të djathtën ekstreme në Pallatin Élysée dhe duke shkaktuar pasoja globale.

Sipas Seamus Boland, rritja e kostove të energjisë po përhapet në ushqime, transport dhe strehim, duke goditur më fort shtresën e mesme dhe të ulët.

Kjo krijon mosbesim jo vetëm ndaj qeverive kombëtare, por edhe ndaj institucioneve europiane dhe rrit mbështetjen për politika më proteksioniste.

Franca mbetet “çmimi i madh”, por nuk është i vetmi sinjal i dobësimit të qendrës politike në Europë.

Në Bullgari, fitorja e Rumen Radev ka shqetësuar elitat politike.

Rumen Radev flet me shtypin në selinë e partisë së tij pasi u mbyllën qendrat e votimit në zgjedhjet parlamentare të Bullgarisë, në Sofje më 19 prill 2026.

Në Rumani, një krizë qeveritare mund të rrëzojë kryeministrin pro-BE Ilie Bolojan. Ndërkohë në Gjermani, e djathta ekstreme e Alternativa për Gjermaninë synon fitore të reja.

Në planin ekonomik, bllokimi i Ngushticës së Hormuzit ka mbajtur çmimin e naftës mbi 100 dollarë për fuçi, duke shtuar presionin mbi ekonominë europiane.

Komisioneri për Ekonominë Valdis Dombrovskis paralajmëron se ndikimi po përhapet në gjithë ekonominë dhe kërkon masa të përkohshme e të targetuara, pasi hapësira fiskale është e kufizuar pas pandemisë dhe krizës energjetike të vitit 2022.

Situata po e shtyn Europën drejt “stagflacionit”- një kombinim i rritjes së çmimeve me rritje të dobët ekonomike. Gjermania dhe Italia tashmë kanë ulur parashikimet për rritjen ekonomike.

Paralelisht, kriza po rikthen përplasjet e vjetra brenda BE-së mes vendeve veriore më “kursimtare” dhe atyre jugore që kërkojnë më shumë mbështetje financiare.

Debati është intensifikuar edhe nga borxhi i përbashkët i marrë gjatë pandemisë, që duhet të shlyhet duke filluar nga viti 2028.

Në këtë klimë tensioni, presidenti francez Emmanuel Macron e ka quajtur “idiot” idenë për shlyerje të shpejtë të borxhit, duke kërkuar më shumë fleksibilitet dhe investime për të përballuar krizën.

Në thelb, Europa po hyn në një fazë ku krizat ekonomike dhe gjeopolitike po ushqejnë pasigurinë politike -dhe kjo mund të ndryshojë ndjeshëm balancat e pushtetit në vitet e ardhshme.

Burimi: Politico/Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë