Menaxhim

‘2025-a, vit i thatë’, raporti: U prodhua më pak energji nga HEC-et shtetërore

Nga Gazeta ‘Si’- Viti 2025 nuk ka qenë ndër më të mirët për Shqipërinë sa i përket prodhimit të energjisë. Enti Rregullator i Energjisë e cilëson atë si një vit të thatë, ku prodhimi ra me rreth 340 GWh.

Sipas raportit vjetor të ERE-s, prodhimi nga hidrocentralet e kaskadës së Drinit në vitin 2025 ra ndjeshëm në rreth 3.4 milion MWh, ose 17.5% më pak krahasuar me një vit më parë. Prurjet në liqenin e Fierzës ishin gjithashtu të ulëta, mesatarisht rreth 145 m³/s, afërsisht në nivelin e vitit 2024, por rreth 21% nën mesataren shumëvjeçare. Gjysma e parë e vitit rezultoi më e dobët, ndërsa në pjesën e dytë pati një përmirësim të lehtë, por jo domethënës.

“Në këto kushte, të gjitha prurjet e ardhura në kaskadë janë menaxhuar me kujdes dhe pa shkarkime pa prodhim nga tunelet, duke ruajtur rezervën energjetike për stinën e verës, ku prurjet janë relativisht të ulëta dhe kërkesa për energji është e lartë. Referuar treguesve të raportuar nga shoqëria KESH, rezulton se në tërësi viti 2025 ka qenë një vit relativisht i thatë, ku ecuria e reshjeve dhe e prurjeve natyrore nuk ka qenë e qëndrueshme”, argumenton ERE.

Një zhvillim tjetër i evidentuar në raport është ndryshimi i strukturës së prodhimit. Shoqëria publike KESH prodhoi rreth 46.2% të energjisë elektrike në vend, ndërsa pjesa tjetër, rreth 53.8%, u mbulua nga prodhues të tjerë, kryesisht privatë. Ky raport tregon një zhvendosje të qartë nga modeli tradicional i dominimit shtetëror drejt një tregu më të hapur.

Paralelisht me këtë zhvillim, energjia nga burimet fotovoltaike ka shënuar një rritje të ndjeshme. Kapaciteti i instaluar i centraleve diellore arriti në rreth 631 MW, duke përbërë afërsisht 18% të kapacitetit total të instaluar në vend. Megjithatë, prodhimi i realizuar nga këto burime ishte rreth 832 GWh, ose rreth 11% e prodhimit total vendas. Ky raport mes kapacitetit dhe prodhimit tregon kufizimet strukturore të energjisë diellore, e cila, ndonëse po zë një vend gjithnjë e më të rëndësishëm në sistem, mbetet e varur nga kushtet natyrore dhe nuk siguron prodhim të qëndrueshëm gjatë gjithë vitit.

Rritja e energjisë diellore ka kontribuar në diversifikimin e burimeve të prodhimit, duke ulur në një farë mase varësinë nga hidrocentralet, por pa e zëvendësuar ende rolin e tyre dominant.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë