Një studim i ri ka zbuluar se mikrobet që jetojnë në zorrën e një personi mund të sinjalizojnë rrezikun e tyre për të zhvilluar sëmundjen e Parkinsonit para se të shfaqen simptomat.
Studiuesit nga University College London (UCL) zbuluan se njerëzit me këtë sëmundje, si dhe ata që janë të predispozuar gjenetikisht ndaj saj, mbajnë modele dalluese të baktereve të zorrëve.
“Në vitet e fundit, ka pasur një njohje gjithnjë e më të madhe të lidhjeve midis sëmundjes së Parkinsonit- një çrregullim i trurit- dhe shëndetit të zorrëve”, tha Anthony Schapira, studiuesi kryesor.
Ai shtoi se studimi ka forcuar provat ekzistuese dhe ka treguar se mikrobet e zorrëve mund të shërbejnë si një sinjal paralajmërues i hershëm i rrezikut të Parkinsonit vite para se të fillojnë simptomat.
Pse zbulimi i hershëm ka rëndësi
Parkinsoni është sëmundja neurodegjenerative me rritjen më të shpejtë në aspektin e prevalencës, paaftësisë dhe vdekjeve, dhe e dyta më e zakonshme pas Alzheimerit.
Ajo karakterizohet nga humbja progresive e neuroneve që prodhojnë dopaminë. Në kohën kur shfaqen simptomat motorike dhe një diagnozë klinike është e mundur, më shumë se gjysma e këtyre neuroneve tashmë kanë humbur, vunë në dukje studiuesit.
Ndërsa trajtimet janë duke u zhvilluar, autorët thanë se zbulimi i hershëm është thelbësor për t’i bërë ato efektive.
“Analiza e mikrobiomës së zorrëve mund të na mundësojë të identifikojmë individët që janë në rrezik për të zhvilluar sëmundjen e Parkinsonit, në mënyrë që të mund të sugjerojmë mënyra që ata të zvogëlojnë rrezikun e tyre, siç është përmes rregullimeve dietike”, tha bashkë-autori kryesor Stanislav Dusko Ehrlich.
Autorët gjithashtu pranojnë se nevojiten kërkime të mëtejshme për të kuptuar se cilët faktorë shtesë gjenetikë ose mjedisorë përcaktojnë nëse një person zhvillon sëmundjen e Parkinsonit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje