Nga Gazeta ‘Si’- Rritja e vazhdueshme e çmimeve të karburanteve po shqetëson seriozisht komunitetin e biznesit në Shqipëri dhe vendet shqipfolëse, të cilët kanë kërkuar ndërhyrje urgjente nga qeveritë për të shmangur pasoja më të thella në ekonomi.
Sipas organizatave përfaqësuese të biznesit nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës, kjo situatë po ndikon drejtpërdrejt në ngadalësimin e aktivitetit ekonomik, rritjen e kostove dhe shtyrjen e investimeve të reja. Shumë kompani po detyrohen të ndryshojnë planet e tyre, ndërsa disa sektorë po përballen me vështirësi serioze në funksionim. Nëse nuk merren masa, paralajmërohet edhe shtrenjtimi i mëtejshëm i produkteve dhe shërbimeve.
Sipas tyre tregu i karburanteve po ushtron presion të madh mbi ekonomitë e rajonit, i ndikuar nga zhvillimet globale dhe pasiguritë në tregjet e energjisë.
Në këtë kuadër, organizatat kërkojnë një sërë masash konkrete, duke përfshirë uljen ose rishikimin e përkohshëm të barrës fiskale mbi karburantet, rritjen e transparencës në përcaktimin e çmimit final dhe publikimin e detajuar të strukturës së tij, si dhe forcimin e kontrollit në treg për të parandaluar abuzimet dhe mungesën e konkurrencës së ndershme.
Një tjetër kërkesë është edhe krijimi i rezervave strategjike të karburanteve për raste krizash.
Sipas tyre, mungesa e reagimit në kohë do të përkeqësojë situatën ekonomike, duke rrezikuar investimet, vendet e punës dhe stabilitetin e përgjithshëm ekonomik.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje