Shendet

Studimi/ Bisedat ‘e mërzitshme’ në fakt bëjnë mirë për shëndetin

Nga Gazeta ‘Si’- Është tunduese të shmangësh kolegët në pushim ose të kufizosh bisedat e shkurtra me dikë që pret pranë teje, me idenë se do të përfundosh në një bisedë të mërzitshme.

Por një studim i ri sugjeron të kundërtën: këto biseda “të zakonshme” mund të jenë shumë më të vlefshme sesa mendojmë.

Studimi, i publikuar në Journal of Personality and Social Psychology, zbuloi se njerëzit që angazhohen realisht në këto biseda i përjetojnë ato si më interesante dhe më të këndshme nga sa kishin parashikuar.

Madje, përtej kënaqësisë së momentit, ka prova se këto ndërveprime të thjeshta mund të kenë ndikim pozitiv si në shëndetin mendor, ashtu edhe në atë fizik.

“Këto momente janë të vogla, por nuk janë aspak të parëndësishme,” thotë psikologu Nicholas Allan nga Ohio State University.

Studimi analizoi në thellësi bisedat mbi tema që zakonisht konsiderohen të mërzitshme. Në nëntë eksperimente me rreth 1.800 pjesëmarrës, njerëzve iu kërkua të parashikonin sa do t’i shijonin bisedat për tema si Luftërat Botërore, librat jofiksion, matematika, qepët, tregu i aksioneve, macet apo dietat vegane.

Bisedat u zhvilluan si me të panjohur, ashtu edhe me miq, si fizikisht, ashtu edhe online.

Rezultati ishte i qartë: edhe pse pjesëmarrësit prisnin që bisedat të ishin të mërzitshme, në fund i vlerësuan ato si shumë më të këndshme nga sa kishin menduar- edhe kur të dy bashkëbiseduesit mendonin se tema ishte pa interes.

Sipas autores kryesore të studimit, Elizabeth Trinh nga University of Michigan, shumë njerëz shmangin bisedat sepse i paragjykojnë si të lodhshme.

“Ne i druhemi eventeve sociale dhe mendojmë se tema si moti apo rutina e përditshme nuk mund të jenë interesante,” shpjegon ajo.

Por në fakt, ajo që ka më shumë rëndësi nuk është tema, por mënyra se si përfshihesh në bisedë. Studiuesit zbuluan se angazhimi është çelësi: ndjenja e lidhjes, dëgjimi aktiv dhe reagimi ndaj tjetrit e bëjnë çdo bisedë më të vlefshme.

Edhe një temë e zakonshme mund të marrë kuptim kur dy njerëz komunikojnë realisht me njëri-tjetrin.

Ekspertët theksojnë se këto ndërveprime janë thelbësore, sepse njeriu është një qenie sociale. Edhe lidhja mbi një temë të thjeshtë krijon kontakt njerëzor dhe mund të përmirësojë gjendjen emocionale.

Në fakt, këto biseda të vogla mund të kenë ndikim të madh në shëndet. Ato ndihmojnë në reduktimin e ndjenjës së vetmisë, e cila lidhet me rreziqe serioze shëndetësore si sëmundjet e zemrës, diabeti, ankthi, depresioni dhe madje edhe vdekja e parakohshme.

“Vetmia nuk lidhet vetëm me numrin e njerëzve që takon, por me cilësinë e lidhjes që krijon,” shpjegon Allan.

Me kalimin e kohës, këto momente të vogla ndërtohen dhe mund të përmirësojnë ndjeshëm mirëqenien. Megjithatë, ekspertët theksojnë se jo çdo ndërveprim është pozitiv- rëndësi ka që komunikimi të jetë i respektueshëm dhe i ndërsjellë.

Burimi: Self.com/Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë