Bota

Reuters: SHBA do të vonojë dërgesat e armëve në disa vende europiane për shkak të luftës me Iranin

Nga Gazeta ‘Si’- Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar disa aleatë europianë se një pjesë e dërgesave të armëve të kontraktuara më herët do të vonohen, për shkak të presionit të madh mbi rezervat ushtarake amerikane, raporton Reuters.

Sipas burimeve të njohura me çështjen, këto vonesa lidhen drejtpërdrejt me luftën kundër Iranit, e cila ka rritur ndjeshëm konsumin e municioneve dhe sistemeve të avancuara ushtarake.

Vendet më të prekura përfshijnë shtete në rajonin e Baltikut dhe në Skandinavi, disa prej të cilave ndodhen pranë kufirit me Rusinë dhe e konsiderojnë furnizimin me armë si çështje jetike sigurie.

Një pjesë e armatimeve ishte blerë përmes programit amerikan të Shitjeve Ushtarake të Huaja (FMS), por ende nuk është dorëzuar. Zyrtarët amerikanë ua kanë komunikuar këto vonesa homologëve evropianë përmes kanaleve diplomatike në ditët e fundit.

Arsyeja kryesore është përfshirja e SHBA-së në konfliktin në Lindjen e Mesme, ku së bashku me Izraelin kanë ndërmarrë sulme ndaj Iranit që nga 28 shkurti. Që prej atëherë, Irani ka lëshuar qindra raketa balistike dhe dronë drejt vendeve të Gjirit, duke kërkuar përdorimin intensiv të sistemeve mbrojtëse amerikane, si raketat interceptuese Patriot.

Këto zhvillime kanë shteruar më tej rezervat, të cilat tashmë ishin nën presion nga ndihma ushtarake për Ukrainën që prej vitit 2022 dhe operacionet izraelite në Gaza.

Zyrtarët evropianë kanë shprehur pakënaqësi dhe shqetësim, duke theksuar se vonesat i vendosin ata në një situatë të vështirë sigurie. Disa prej tyre po shqyrtojnë gjithnjë e më shumë mundësinë për t’u orientuar drejt prodhuesve evropianë të armëve, në mënyrë që të shmangin varësinë nga furnizimet amerikane.

Nga ana tjetër, zyrtarët amerikanë argumentojnë se prioritet mbetet përballimi i kërcënimeve aktuale në Lindjen e Mesme dhe mbrojtja e interesave strategjike, duke shtuar se edhe vendet evropiane nuk kanë kontribuar mjaftueshëm në përpjekjet për të stabilizuar situatën, përfshirë hapjen e Ngushticës së Hormuzit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë