Nga Gazeta ‘Si’- Lufta mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit ka tronditur tregjet globale të naftës, jo vetëm sepse Ngushtica e Hormuzit- korridor kyç nga ku kalon rreth 20% e naftës dhe gazit në botë-mbetet praktikisht e bllokuar për transportin detar.
Pasiguria për kohëzgjatjen e krizës ka shtuar të ashtuquajturin “premium rreziku”, një kosto shtesë që përfshihet në çmim për shkak të frikës së ndërprerjes së furnizimit.
Edhe pse këtë javë çmimet ranë sërish nën 100 dollarë për fuçi, falë shpresave për një marrëveshje paqeje, ato mbeten dukshëm më të larta se niveli “normal” i viteve të fundit, kur luhateshin mes 70 dhe 80 dollarëve.
Kjo ka ngritur pyetjen nëse bota po përballet jo thjesht me një krizë të përkohshme, por me fundin e epokës së naftës së lirë.
Rritja e çmimit të naftës nuk prek vetëm karburantin.

Efektet zinxhir shtrihen në transport, bujqësi, ndërtim dhe mijëra produkte të përditshme. Plehrat kimike varen nga petrokimikatet, ndërsa mbi 6 mijë produkte -nga ilaçet, detergjentët dhe pasta e dhëmbëve, te bojërat, plastika dhe materialet e ndërtimit- lidhen drejtpërdrejt me naftën dhe gazin.
Në sektorin e ndërtimit, asfalt, izolues, bojëra, tuba dhe materiale të tjera prodhohen nga nënproduktet e naftës.
Edhe transporti i tyre drejt kantierëve bëhet më i kushtueshëm, duke shtuar presionin mbi çmimet e banesave.
Historikisht, tregjet janë përballur shpesh me goditje të ngjashme dhe zakonisht rritja e çmimeve është zbutur nga zbulime të reja ose teknologji si shpimet në thellësi.
Por kësaj here, dëmet në infrastrukturën energjetike në Lindjen e Mesme mund të kërkojnë vite për t’u riparuar.
Sfida nuk është më nëse ka naftë, por nëse ajo mund të furnizohet sërish lirë, në mënyrë të sigurt dhe në shkallë globale.
Pandemia dhe lufta në Ukrainë rikthyen logjikën e “just in case”-pra krijimin e rezervave shtesë për raste emergjence- në vend të modelit të vjetër “just in time”, ku furnizimi merrej vetëm kur nevojitej.
Por ky model i ri kërkon më shumë depozita, infrastrukturë, sigurime dhe kosto menaxhimi.
Fundi i naftës së lirë nuk do të thotë fund i përdorimit të saj, por një botë ku kostot e larta të energjisë do të jenë pjesë e përditshmërisë.
Qeveritë mund të detyrohen të subvencionojnë tregun, familjet do të kenë më pak të ardhura të lira, ndërsa bizneset do të shtyhen drejt eficiencës dhe energjisë së gjelbër, jo vetëm për ideal mjedisor, por për nevojë ekonomike.
Përshtatja do të vijë, por kthimi te “normaliteti” i vjetër mund të mos jetë më i mundur./ The Conversation
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje