Gazeta Si – Bombolat e gazit, defekte në pajisje shtëpiake apo luhatje tensioni, kanë shkaktuar zjarre të shpeshta në banesa apo biznese të ndryshme në kryeqytet.
Por vitet e fundit janë shtuar edhe zjarre të përmasave të mëdha, që përfshijnë jo vetëm apartamentet apo zyrat, por edhe të gjithë fasadën e pallatit.
Dhe bëhet fjalë zakonisht për ndërtime të viteve të fundit, ku për fat të mirë nuk ka pasur viktima, por dëme të shumta materiale.
Zjarri te ish-Parku i Autobusëve
Në 14 shtator 2023, një pallat 10-katësh në Tiranë u përfshi nga flakë të mëdha në Tiranë pranë zonës së ish-Parkut, ku dëmet ishin të konsiderueshme.
Fatmirësisht, ndonëse zjarri ishte i përmasave të mëdha, banorët u evakuuan në kohë dhe nuk pati viktima.
Sipas ekspertëve, pallati 10-katësh rrezikoi të shembej nga flakët që nuk njohën kufi dhe u shpërndanë thuajse në të gjithë strukturën e godinës së banuar.
Dy zjarrfikës u dërguan në spital pas problemeve me frymëmarjen. Ndërkohë, policia shoqëroi administratorin e pallatit që kishte banesën në katin e fundit, për të sqaruar rrethanat se si nisi zjarri.
Nga zjarri u shkrumbuan 3 apartamente dhe një tjetër u dogj në masën e 30%. 10-12 apartamente pësuan djegie pjesërisht nga flakët që hynë brenda nga fasada.
Dy zjarre te “Komuna e Parisit” në 5 ditë
Një banesë e një pallati u përfshi nga flakët në 20 janar 2025 në kompleksin “Kika 2” në zonën e njohur si “Komuna e Parisit”.
Flakët shkaktuan shtëllunga të mëdha tymi, duke mbuluar zonën. Nga ngjarja nuk pati persona të lënduar, por vetëm dëme të mëdha materiale.
Policia dhe zjarrfikëset evakuuan banorët, ndërsa shkak ishte një shkëndijë në paketën elektrike në një zyrë.
Ndërsa 5 ditë më pas, një zjarr përfshiu garazhin e një pallati 8-katësh te “Kika 1” po te “Komuna e Parisit”.
Shkak i flakëve u dyshua të ishte një defekt i kompresorit – që ndodhej në garazh – të frigoriferit të një marketi.
Forcat zjarrfikëse dhe policia evakuuan banorët, ndërsa një grua u transportua drejt QSUT me probleme me frymëmarrjen, por jashtë rrezikut për jetën.
Pallati 12-katësh te “Farmacia 10”
Një zjarr masiv në një pallat 12-katësh në zonën pranë “Farmacisë 10” në Tiranë, shkaktoi dëme të konsiderueshme materiale pasditen e 14 prillit 2026.
Sipas të dhënave paraprake, rreth 30 apartamente janë prekur nga flakët, të cilat dyshohet se kanë nisur në katin e parë të një biznesi.
Shkaku i zjarrit nuk është përcaktuar ende zyrtarisht, ndërsa materiali i përdorur në fasadë mund të ketë ndikuar në përhapjen e shpejtë të flakëve.
Zjarri ka përfshirë plotësisht pjesën e jashtme të ndërtesës, duke djegur fasadën me dy shtresa dhe duke dëmtuar edhe strukturën e brendshme në disa pjesë.
Si pasojë e ngjarjes, 11 persona përfunduan ditën e djeshme në spital. Forcat zjarrfikëse, të mbështetura nga emergjencat civile dhe ushtria, u angazhuan me mbi 50 efektivë për të vënë nën kontroll flakët. Ndërhyrja nga ajri me dy helikopterë Cougar ndihmoi shumë në neutralizimin e flakëve.
Zjarre në zona të tjera
Në 22 gusht 2024, shtëllunga të mëdha tymi mbuluan zonën e “Myslym Shyrit” në Tiranë si pasojë e një zjarri në katin e parë të një pallati të ri, që rrezikoi dhe banorët.
Pas reagimit të forcave zjarrfikëse, situata u stabilizua pas dy orësh. Edhe në vitin 2022, një zjarr i nisur në një kat të ulët në këtë zonë, u përhap në pjesën e jashtme të godinës.
Fasada e veshur me materiale plastike ndihmoi përhapjen e shpejtë. U desh një ndërhyrje e madhe e zjarrfikësve për neutralizim.
Gjatë 5 viteve të fundit, zjarre ka pasur edhe te zona e Astirit / Unaza e Re, Don Bosko, Yzberisht, Laprakë dhe te Fresku, ku shkaqet lidhen me instalime elektrike të pasigurta dhe materiale izoluese të djegshme (EPS / polisterol).
Në shumicën e rasteve, zjarret në këto zona të Tiranës, kanë qenë të kufizuara, por kanë treguar të njëjtin problem: fasada që digjet shpejt.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje