Ngjarje

E gdhinë para pallatit të djegur, rrëfimet e banorëve: Humbëm gjithçka, përhapja e zjarrit nga materiali i fasadës (si shpëtuan 2 të moshuarit)

Nga Megi Iskurti-Ata e kanë kaluar natën jashtë, me sytë nga apartamentet e tyre që janë bërë shkrumb e hi nga zjarri që përfshiu pallatin e tyre në zonën e ish-parkut të Autobusëve ditën e djeshme.

Edhe sot refuzojnë të largohen nga aty, në pritje të ndonjë reagimi nga Bashkia për të kuptuar çfarë do të ndodhë me banesat e tyre, tashmë të shkrumbuara totalisht.

Gjithë çfarë ka mbetur nga pesë katet e fundit të pallatit janë vetëm disa struktura hekuri në ballkon dhe dritaret me xhamat e thyer. Nga brenda hyrjeve, asgjë tjetër nuk duket të ketë rezistuar pa u djegur.

Alibia që qarkullon mes bisedave të tyre për shkakun e flakëve është problemi me një sobë gatimi në katin e dhjetë, aty ku banonte një mjek. Ndërsa fajet për përhapjen e shpejtë të zjarrit, ia atribuojnë materialit të fasadës.

Megjithatë Shkëlqim Goxhaj, Drejtori i Zjarrfikëses së Tiranës deklaroi se nuk mund të ngrejmë asnjë alibi pa patur një vendim nga ekspertët.

“E gjithë fasada është me polesterol ndaj dhe u dogj në atë mënyrë. Vetëm polesteroli mund të digjet si letër”, thotë për Gazetasi.al Ramadani, njëri prej banorëve shtëpia e të cilit ka shpëtuar pa u djegur, me vetëm një masë të lehtë dëmtimesh të jashtme.

Ndërkohë fasada ngjitur e pallatit, e veshur me pllakë, nuk është prekur nga zjarri.

“Hyrja ime është ngjitur me atë të katit të gjashtë e cila është shkrumbuar më keq se çdo hyrje tjetër. Për fatin tim zjarrëfikëset ndërhynë në kohë. Fakti që kisha dritaret e mbyllura mendoj që ka ndihmuar shumë. Zjarri ka rënë nga ora 14:00 dhe u desh më shumë se tre orë për ta shuar”, vijon mandej rrëfimin ai ndërsa shton se që prej ditës së djeshme ka dalë me vrik nga apartamenti duke lënë brenda ilaçet e tij të diabetit dhe syzet optike që i ka të domosdoshme.

Ramadani, i ulur në një stol me sytë nga pallati

Megjithatë, nuk duket krejt i lehtësuar. I druhet faktit që pas ekspertizës, pjesa e sipërme e pallatit mund të shembet.

“I trembemi të gjithë shembjes. Aty është shkrumbuar çdo gjë ndaj nuk e di sa i mundur është rindërtimi mbi të njëjtën strukturë.

Hyrjet janë të pasiguruara nga zjarri ndaj banorët e tjerë do ta kenë shumë të vështirë”, deklaron ai ndërsa shton se pallati i cili ka tre vite që është ndërtuar nuk ka sistem anti-zjarr dhe është pa hipotekë.

“Apartamentet në këtë zonë janë shumë të shtrenjta. Varionin nga 1400 metri katror. Është investimi i një jete ndaj edhe nëse do ketë ndonjë rregullim nga Bashkia, shtëpitë e tyre nuk do të bëhen kurrë ashtu siç ishin. Nuk e di se si do e zgjidhin. Duket një problem që do të marrë kohë”, thotë më tej ai për Gazetasi.al.

Krah tij, një djalë rreth të 25-tave tregon për Gazetasi.al se ndërsa flakët kishin përfshirë katet e sipërme, hyri brenda në pallat për të mbyllur dritaret e apartamentit të një të afërmi të tij.

Quhet Mikel Hoxhallari dhe rrëfen se ndërsa po dilte nga apartamenti, kishte shpëtuar edhe dy pleq të moshuar të cilët të zënë në panik mes tymit, kishin mbetur në korridor.

“Ishin të dy rreth tek të tetëdhjetat. Ishin strukur si fëmijë nga frika dhe nuk po arrinin të lëviznin dot. I mora dhe i nxorra jashtë. Theva dhe një strukturë xhami brenda pallatit, që të kaloja më me lehtësi”, tregon me buzën në gaz për Gazetasi.al ai, duke e zhveshur modestisht rrëfimin e tij nga të gjithë detajet që të bëjnë të mendosh se ka qenë heroi i ditës.

Kaq rrëfen dhe largohet mandej për t’u bashkuar me turmën e banorëve që vijojnë të presin ende jashtë shiritit, me sytë po nga apartamentet e bëra hi.

Nga ana e pasme e pallatit është ende një makinë zjarrfikëseje, e parkuar aty që nga dita e djeshme ndërsa brenda shiritit ndodhen një grup policësh që ndalojnë qytetarët të hyjnë brenda.

Mes banorëve shtëpia e të cilëve është djegur tërësisht, janë edhe një çift, jo fort të ngeshëm për mediat atypari.

Të pezmatuar ndërsa thonë se do i kalojnë netët tek të afërmit e tyre, shtojnë se presin një deklaratë nga Bashkia duke shpresuar që procesi të mos shoqërohet me avari e burokraci. Ndonëse, siç thonë, nuk kanë fort shpresa për këtë të fundit…


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë