Gazeta Si – Gruri dhe misri dyshohet se janë kultivuar ilegalisht për pesë vjet në zonën e Çernobilit në Ukrainë, vendi i katastrofës më të rëndë bërthamore në histori në vitin 1986 dhe që atëherë konsiderohet një zonë e kontaminuar.
Lajmi alarmues vjen nga Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës, i cili ka ngritur një padi në Gjykatën Ekonomike të Rajonit të Kievit duke kërkuar kthimin në gjendje të shtetit të tre parcelave të tokës me një sipërfaqe totale mbi 190 hektarë.
Sipas mediave ukrainase, deri tani nuk u specifikua se për cilat tregje ishin të destinuara të korrat. Gjykata tashmë ka filluar procedurat penale.
Kultivim i paligjshëm – Parcelat ndodhen në rrethin e Vyshhorodit, brenda zonës së përjashtimit (një zonë shumë e ndotur, me akses të kontrolluar me një rreze prej 30 km nga termocentrali bërthamor) dhe zonës së zhvendosjes (më pak e ndotur) përreth Çernobilit.
Sipas hetuesve, parcelat fillimisht menaxhoheshin nga agjencia shtetërore përgjegjëse për zonën e përjashtimit, por statusi i tyre u ndryshua në mënyrë të paligjshme, së pari duke i transferuar ato në pronësi komunale dhe më pas duke i dhënë të drejtën e përdorimit një kompanie private.
Kultivim sistematik që nga viti 2020 – Sipas prokurorisë, që nga viti 2020, këto toka janë përdorur sistematikisht për kultivimin e grurit dhe misrit pa lejet e nevojshme.
Aktivitete të tilla përbëjnë një “rrezik serioz për jetën dhe shëndetin e njerëzve” për shkak të kontaminimit radioaktiv që është ende i pranishëm në zonë, shpjegoi prokuroria ukrainase në një deklaratë.
Hetimi zbuloi gjithashtu se lejet bazoheshin në një vendim joekzistent nga Këshilli i Qarkut të rajonit Polesia dhe në dokumente shtetërore të lëshuara për një ish-ndërmarrje kolektive të quajtur “Svitannok”, aktualisht në likuidim dhe pa një pasardhës.
Katastrofa e Çernobilit e vitit 1986 – Më 26 prill 1986, reaktori numër 4 në centralin bërthamor të Çernobilit (atëherë në Bashkimin Sovjetik, tani në Ukrainë), shpërtheu gjatë një prove sigurie për shkak të gabimeve procedurale.
Ishte katastrofa më e rëndë bërthamore në histori, e vetmja, së bashku me Fukushimën, që arriti nivelin 7 në shkallën INES (për ngjarjet bërthamore dhe radiologjike).
Dy punëtorë u vranë gjatë shpërthimit dhe 28 zjarrfikës dhe punonjës të tjerë vdiqën brenda pak muajsh nga sëmundja akute nga rrezatimi.
Sipas vlerësimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, numri i përgjithshëm i vdekjeve që i atribuohen rrezatimit, mund të shkojë nga 4,000 deri në 9,000 njerëz në të gjithë Europën.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje