Të kesh mikrobe të larmishme në zorrë është promovuar si një mënyrë për të forcuar imunitetin, por studimet sugjerojnë se është më e ndërlikuar se kaq.
Triliona mikroorganizma që jetojnë në dhe mbi trupin tonë- të njohur si mikrobiomë- janë cilësuar si çelësi për imunitet më të mirë.
“Shumë studime i lidhin llojet e baktereve në mikrobiomë me shëndetin dhe sëmundjet në pothuajse çdo gjendje mendore dhe fizike”, thotë Prof. Daniel M Davis, kreu i shkencave të jetës në Imperial College London.
“Por shumica e këtyre provave janë korrelative dhe ne ende duhet të kuptojmë saktësisht se si mikrobioma ndikon në shëndet.”
Shkencëtarët shpesh shikojnë një masë: diversitetin. Me fjalë të tjera, sa lloje të ndryshme mikrobesh jetojnë në zorrë. “Sa më e larmishme të jetë mikrobioma juaj, aq më shumë duket se lidhet me mos-sëmundjen.”
Megjithatë, studimet tregojnë se historia është më e ndërlikuar.
“Hulumtimet e reja sugjerojnë se ajo që ka vërtet rëndësi është konkurrenca”, thotë Davis. “Nëse grupet e baktereve ushqehen me njëra-tjetrën dhe sinergjizohen në mënyra që i ndihmojnë ato të shumohen me shpejtësi, kjo mund të jetë e keqe për ju.”
Kjo mund të kontribuojë në shfaqjen e sëmundjeve ose në përkeqësimin e simptomave.
“Por nëse ato konkurrojnë me njëra-tjetrën për burime, kjo tenton t’i mbajë gjërat nën kontroll. Një mikrobiomë me shumë specie konkurruese mund të ndihmojë në ruajtjen e ekuilibrit.”
Çfarë duhet të mësojnë jo-shkencëtarët nga kjo?
“Po, mikrobioma është e rëndësishme dhe ndikon në aftësinë e sistemit imunitar për të luftuar infeksionin”, thotë Davis.
Por shkencëtarët ende nuk e kuptojnë plotësisht se çfarë e bën një mikrobiomë ‘të shëndetshme’. Ende nuk dinë si ta manipulojnë atë në mënyrë të besueshme për t’i bërë njerëzit më të shëndetshëm.
Për momentin, kjo do të thotë të jemi të kujdesshëm ndaj pretendimeve të guximshme komerciale. “Jini shumë skeptikë ndaj produkteve që premtojnë se ‘kjo do ta ndryshojë mikrobiomën tuaj dhe do ta bëjë atë më të shëndetshme’. Shkenca thjesht nuk është ende aty ku duhet.”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje