Shendet

Rastet në rritje, mjeku Çakçiri: Parkinsoni po prek dhe persona nën 50 vjeç

Nga Gazeta Si- Parkinsoni po prek edhe njerëzit nën 50 vjeç. Mjeku neurolog Genci Çakçiri ka ngritur shqetësimin për rritjen e rasteve, veçanërisht tek personat nën moshën 50 vjeç. Sipas tij, vitet e fundit është vërejtur një shtim i dukshëm i diagnozave në këtë grupmoshë, çka tregon se sëmundja nuk prek më vetëm moshat e treta, siç mendohej tradicionalisht.

Ai thekson se kjo tendencë në rritje kërkon më shumë vëmendje dhe ndërgjegjësim, pasi diagnostikimi i hershëm është kyç për menaxhimin e sëmundjes.

Mjeku neurolog Genci Çakçiri

Në shumë raste, forma e Parkinsonit që shfaqet në moshë të re lidhet me faktorë gjenetikë, ndaj njohja e shenjave të para bëhet edhe më e rëndësishme.

Parkinsoni mbetet një ndër sëmundjet neurodegjenerative më të shpeshta në botë, e dyta pas Alzheimer, dhe karakterizohet nga një rritje e vazhdueshme e prevalencës. Shenjat kryesore përfshijnë ngadalësimin e lëvizjeve, ngurtësinë muskulare dhe dridhjet, të cilat zakonisht shfaqen në njërën anë të trupit.

“Një tregues i rëndësishëm për diagnozën është dridhja e dorës në gjendje qetësie, që ndihmon në diferencimin nga çrregullime të tjera”, thotë mjeku.

Rreziku për zhvillimin e sëmundjes rritet me moshën, megjithatë rastet tek të rinjtë po bëhen gjithnjë e më të shpeshta. Për këtë arsye, mjeku Çakçiri këshillon që çdo shenjë e dyshimtë të merret seriozisht dhe të kërkohet konsultë mjekësore që në fazat e hershme.

Në përballimin e Parkinsonit, rol të rëndësishëm luan edhe mbështetja e familjarëve.

Mjeku Çakçiri thotë se ata duhet të jenë të kujdesshëm në ndjekjen e trajtimit dhe të ofrojnë mbështetje morale të vazhdueshme për personin e prekur. Gjithashtu, aktiviteti fizik dhe fizioterapia janë thelbësore për ruajtjen e funksioneve motorike dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së pacientëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë