Bota

Trump kërcënon sërish Iranin: Sulme të reja nëse dështojnë bisedimet

Gazeta Si – Në prag të negociatave në Pakistan, Donald Trump e paralajmëroi Iranin për sulme edhe më intensive nëse nuk arrihet një marrëveshje. “Po i ngarkojmë anijet me municionet dhe armët më të mira të prodhuara ndonjëherë, madje edhe më të mira se ato që përdorëm më parë, të cilat i përdorëm për t’i bërë copë-copë”, tha manjati në një intervistë me “New York Post”.

Me disa postime kërcënuese në llogarinë e tij në rrjetin social, “Truth”, Trump shkroi se regjimi “nuk e kupton se nuk ka më letra për të luajtur, përveç shantazhit të menjëhershëm ndaj botës” duke mbyllur Ngushticën e Hormuzit: “Arsyeja e vetme pse ata janë ende gjallë është të negociojnë!”

Ndërsa më herët, zv.presidenti amerikan J.D. Vance, e paralajmëroi Iranin të mos “luajë lojëra” me Shtetet e Bashkuara në negociata përpara se të nisej për në Pakistan. “Nëse ata duan të luajnë lojëra, duhet ta dinë se ne nuk do të luajmë lojëra”, tha numri 2 i Shtëpisë së Bardhë.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, deklaroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të respektojnë angazhimet e tyre për armëpushimin, duke theksuar se marrëveshja duhet të përfshijë edhe Libanin.

Araghchi i bëri këto komente gjatë një bisede telefonike me ambasadorin e emëruar të Iranit në Liban, Mohammad Reza Shibani.

Ai dënoi sulmet e vazhdueshme të Izraelit në Liban, duke theksuar se ato duhet të ndalen në përputhje me mirëkuptimin për armëpushim.

Më herët, edhe kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, kishte bërë deklarata të ngjashme, duke theksuar nevojën që armëpushimi të shtrihet edhe në Liban.

Ai shtoi se negociatat e planifikuara me SHBA-në nuk mund të zhvillohen pa u zbatuar më parë një armëpushim i tillë. 


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë