Bota

Lidhjet me Rusinë/ BE gati të shkurtojë deri në 1.5 miliardë euro fonde për Serbinë

Nga Gazeta ‘Si’– Serbia rrezikon të humbasë deri në 1.5 miliardë euro fonde nga Bashkimi Europian, pasi Komisioni Europian po shqyrton mundësinë e ndërprerjes së tyre për shkak të prapambetjes demokratike dhe lidhjeve të afërta të vendit me Rusinë.

Edhe pse nuk është anëtare e BE-së, Serbia ka nisur negociatat e anëtarësimit që në vitin 2014 dhe përfiton fonde për të çuar përpara reforma ligjore.

Një vendim për pezullimin e këtyre fondeve do ta komplikonte më tej procesin e zgjerimit të BE-së, në një kohë kur vende si Ukraina dhe Mali i Zi po përpiqen të përshpejtojnë anëtarësimin, ndërsa shtete të rëndësishme si Franca kërkojnë më shumë kujdes.

“Jemi gjithnjë e më të shqetësuar për atë që po ndodh në Serbi,” deklaroi Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos.

“Nga ligjet që dëmtojnë pavarësinë e gjyqësorit, te shtypja e protestuesve dhe ndërhyrjet e vazhdueshme në mediat e pavarura.”

Komisioni po vlerëson nëse Serbia ende i përmbush kushtet për të përfituar pagesa nga instrumentet financiare të BE-së.

Sipas disa zyrtarëve europianë, brenda Komisionit është rritur presioni për të bllokuar fondet, sidomos pas reformave të diskutueshme në drejtësi të shtyra nga presidenti Aleksandar Vuçiç dhe protestave të shumta në vend.

Nga ana tjetër, ambasadori i Serbisë në BE dhe negociatori kryesor, Danijel Apostoloviç, u shpreh optimist se nuk do të arrihet deri te pezullimi i fondeve dhe theksoi se Serbia nuk ka hequr dorë nga anëtarësimi i plotë në BE.

Ai shtoi se Beogradi është në diskutime intensive me Komisionin.

Komisioni i Venecias, një organ këshillimor juridik i Këshillit të Europës, pritet të japë opinionin e tij mbi ndryshimet e diskutueshme ligjore në fund të muajit. Ky vlerësim mund të ndikojë drejtpërdrejt në vendimin për ngrirjen e fondeve, ndërsa BE kërkon që Serbia të përafrojë ligjet e saj me rekomandimet e këtij institucioni.

Bashkimi Europian mbetet mbështetësi më i madh financiar i Serbisë, duke i dhënë mbi 586 milionë euro grante nga viti 2021 deri në 2024 dhe duke vënë në dispozicion deri në 1.5 miliardë euro të tjera, të kushtëzuara me reforma. Që nga viti 2000, Serbia ka përfituar më shumë se 7 miliardë euro nga BE.

Megjithatë, Serbia ka ndjekur prej kohësh një politikë të balancuar mes BE-së dhe Rusisë, duke ruajtur marrëdhënie të ngushta me Moskën ndërkohë që përfiton fonde nga Brukseli.

Organizatat e të drejtave të njeriut paralajmërojnë se liria e medias dhe shteti i së drejtës në Serbi janë në gjendje kritike për shkak të presionit ndaj gazetarëve, duke i bërë thirrje BE-së të ndërhyjë para se situata të përkeqësohet më tej.

Në muajt e fundit, durimi i BE-së ndaj Beogradit është dobësuar ndjeshëm. Një raport kritik i nëntorit të kaluar evidentoi prapambetje dhe retorikë anti-BE në nivelet më të larta të politikës serbe.

Tensionet u rritën edhe më shumë në dhjetor, kur presidenti Vuçiç refuzoi të merrte pjesë në një samit BE–Ballkani Perëndimor. Ai ka kritikuar ritmin e ngadaltë të negociatave për anëtarësim dhe ka sugjeruar alternativa si integrimi ekonomik pa anëtarësim të plotë politik- ide që janë refuzuar nga BE.

Së fundmi, Serbia është kritikuar edhe për incidente gjatë zgjedhjeve lokale dhe për përplasje mes studentëve dhe policisë gjatë një aksioni në një universitet.

Sipas një zyrtari europian, këto zhvillime, së bashku me bashkëpunimin e vazhdueshëm të Serbisë me Rusinë, kanë qenë pika e kthesës që ka ashpërsuar qëndrimin e BE-së ndaj Beogradit.

“Si vend kandidat, presim që Serbia të përafrohet me ne edhe në politikën e jashtme,” tha Kos, duke nënkuptuar nevojën për distancim nga Rusia./Politico


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë