Nga Gazeta Si- Reforma e aftësisë së kufizuar në Shqipëri, e prezantuar si një hap drejt një sistemi më të drejtë dhe gjithëpërfshirës, po përballet sot me një realitet kontradiktor.
Ndërsa buxheti për këtë kategori është rritur ndjeshëm vitet e fundit, numri i përfituesve ka rënë dhe barrierat burokratike janë shtuar. Një raport i ri i shoqatës Together for Life (TFL) ngre alarmin për një sistem që, në vend që të lehtësojë jetën e personave me aftësi të kufizuara, po e bën atë edhe më të vështirë përmes procedurave të fragmentuara, mungesës së koordinimit dhe aksesit të kufizuar në shërbime.
Në vitin 2019, Shqipëria kaloi nga modeli tradicional mjekësor në atë bio-psiko-social për vlerësimin e aftësisë së kufizuar, pas një faze pilot të nisur në 2017. Reforma synonte një sistem më të drejtë dhe gjithëpërfshirës, duke marrë në konsideratë jo vetëm gjendjen shëndetësore, por edhe faktorët socialë dhe mjedisorë.
Megjithatë, zbatimi ka hasur vështirësi. Gjetjet tregojnë për një realitet ku po vështirësohet jeta e mbi 140,000 individëve që jetojnë me aftësi të kufizuara në Shqipëri.
Paradoksi financiar: Fondet rriten, përfituesit pakësohen
Sipas analizës financiare të raportit, buxheti i alokuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për këtë kategori ka pësuar një rritje të ndjeshme, duke shkuar nga 15.86 miliardë lekë në vitin 2019 në 19.6 miliardë lekë në vitin 2024
Megjithatë, kjo rritje nuk është përkthyer në më shumë mbështetje për njerëzit.
Përkundrazi, numri i përfituesve ka pësuar një rënie me 2,864 individë gjatë kësaj periudhe.
Ndërkohë, raporti ngre shqetësime se vetëm 3.2% e fondeve mund të gjurmohen plotësisht bazuar në të dhënat aktuale të publikuara nga qeveria.
“Mure” burokratike dhe vlerësim i fragmentuar
Një nga gjetjet më shqetësuese të raportit është qasja e fragmentuar e Komisionit Shumëdisiplinor gjatë vlerësimit të nevojave. Shpesh mungon bashkëpunimi me mjekët e familjes dhe zyrat e punësimit, duke çuar në vendime të pasakta.
Një nga problemet më të ndjeshme lidhet me mënyrën se si personat me aftësi të kufizuara trajtohen gjatë procesit të vlerësimit.
Ka raste kur individëve me gjendje të rëndë u kërkohet të paraqiten fizikisht pranë komisioneve, pavarësisht pamundësisë së tyre reale për të lëvizur.
Rrëfimet e familjarëve tregojnë për situata të vështira, ku mungesa e fleksibilitetit institucional rëndon më tej jetën e përditshme të tyre. Këto raste ngrenë pikëpyetje serioze mbi ndjeshmërinë dhe përshtatjen e sistemit ndaj nevojave reale të përfituesve .
“Më telefonuan nga komisioni dhe më pyetën si jam. Si mund të jem pas 30 vitesh në karrocë?”, tregon Shpresa, një grua paraplegjike.
Rasti i saj ilustron një sistem që në vend të një vlerësimi të plotë dhe të drejtpërdrejtë, shpesh mbështetet në procedura të thjeshtuara që nuk reflektojnë realitetin e individit.
Në raste të tjera, situata bëhet edhe më e vështirë. Familjarë të personave në gjendje të rëndë shëndetësore raportojnë kërkesa absurde për paraqitje fizike përpara komisionit.
“Bashkëshorti im ka 15 vite në shtrat. Më kërkuan ta çoja para komisionit, ndryshe do t’i hiqnin kempin”, tregon një bashkëshorte, duke vënë në dukje mungesën e fleksibilitetit dhe ndjeshmërisë së sistemit.
Dështimi në punësim dhe aksesueshmëri
Pavarësisht premtimeve të reformës për integrim në tregun e punës, shifrat flasin për një rënie drastike. Numri i personave me aftësi të kufizuara të punësuar ka rënë nga 82 në vitin 2019 në vetëm 18 në vitin 2022. Ndërkohë, sipas raportit, Fondi Social i Punësimit, i krijuar për të nxitur punësimin, mbetet ende jofunksional në praktikë.
Sa i përket aksesueshmërisë, raporti konstaton se zbatimi mbetet i pjesshëm dhe i fragmentuar. Shumë bashki nuk kanë plane specifike, ndërsa transporti publik mbetet një barrierë e pakapërcyeshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje