Menaxhim

Qeveria kontroll mbi paratë e huaja/ Miratohet rregullorja që skanon çdo investim nga jashtë

Nga Gazeta ‘SI’ – Qeveria ka miratuar një filtër të ri kontrolli për të gjithë investitorët e huaj që duan të blejnë apo të hyjnë në sektorë të rëndësishëm të Shqipërisë. Përmes një vendimi të ri, çdo kompani e huaj që kërkon të investojë në fusha si energjia, uji, shëndetësia apo teknologjia, do të kalojë fillimisht në një proces verifikimi për të parë nëse ky investim cënon sigurinë e vendit.

Ky kontroll nuk do të bëhet për çdo lloj biznesi, por vetëm për ato që konsiderohen pika delikate për shtetin. Qëllimi është që sektorët që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve dhe të dhënat e tyre të jenë të sigurta.

Për të bërë këtë skaner, do të ngrihet një komitet i posaçëm me ministra dhe ekspertë, që do të shqyrtojnë dhe miratojnë ose jo investimin.

Burimet e panjohura të investimeve në Shqipëri kanë tërhequr dhe më parë vëmendje. Ishte deputeti socialist, Erion Braçe që kërkoi të bëhen publike të gjitha financimet që vijnë në Shqipëri, sidomos në sektorët kritikë.

Në një përballje me Guvernatorin e Bankës, Gent Sejko, Braçe theksoi se është e nevojshme ndërtimi me ligj një sistem kontrolli me qëllim që ekonomia e hapur të mos infektohet nga kapitale që e kanë origjinën e tyre nga vende jo mike. Sistemi bankar e financiar i këtij vendi duhet të jetë në alert të vazhdueshëm edhe për këtë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë