Shkencë

Video/ Nis zyrtarisht misioni Artemis II, momenti kur anija kozmike lëshohet nga Toka dhe niset drejt Hënës

Misioni Artemis II i NASA-s është nisur zyrtarisht drejt orbitës hënore.

Raketa Space Launch System u ngrit nga Platforma 39B në Qendrën Hapësinore Kennedy në Florida më 2 prill, duke çuar anijen kozmike Orion drejt orbitës së Hënës.

Para nisjes, ekipi teknik u përball me disa probleme të vogla. Specialistët duhej të riparonin sistemin e sigurisë që mundëson shkatërrimin e raketës në rast devijimi nga trajektorja. Ky sistem ishte thelbësor për lëshimin dhe u testua me sukses. Pak më vonë, u zgjidh edhe një problem i sensorit të baterisë dhe i pajisjeve të komunikimit të Sistemit të Ndërprerjes së Lëshimit.

Edhe pse Artemis II nuk do të ulë astronautët në Hënë, ai ka një rol kyç- testimi i parë me pilot i të gjitha sistemeve të anijes Orion, përfshirë navigacionin, komunikimin dhe mbështetjen, duke siguruar teknologjitë që do t’u mundësojnë njerëzve të kthehen në Hënë në misionet e ardhshme.

Ekuipazhi përbëhet nga komandanti amerikan Reid Ëiseman (50 vjeç), piloti amerikan Victor Glover (49 vjeç), specialistja amerikane Christina Koch (47 vjeç) dhe astronauti kanadez Jeremy Hansen (50 vjeç).

Ky mision do të shënojë disa rekorde historike: Hansen do të bëhet kanadezi i parë që orbiton Hënën, Glover afrikano-amerikani i parë, dhe Koch gruaja e parë që do të shohë anën e largët të Hënës.

Gjatë udhëtimit nëntë-ditor, ekuipazhi do të arrijë mbi 400,000 kilometra nga Toka, duke e kaluar një distancë nga planeti ynë që askush nuk e ka arritur më parë, dhe më shumë se 7,600 kilometra larg Hënës.

Ky është një hap tjetër i madh drejt kthimit të njerëzimit në Hënë, duke i paraprirë eksplorimeve të ardhshme dhe sfidave të reja hapësinore.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë