Bota

Netanyahu nuk jep afat për përfundimin e luftës me Iranin: Jemi në gjysmë të rrugës

Nga Gazeta ‘Si’- Rritja e çmimeve të energjisë në tregjet ndërkombëtare ka shtuar interesin dhe shqetësimin mbi kohëzgjatjen e luftës me Iranin, ndërsa ende nuk ka një afat të qartë për përfundimin e saj.

Në një intervistë për median amerikane Newsmax, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, shmangu dhënien e një afati konkret për arritjen e objektivave ushtarake.

Ai deklaroi se, pas një muaji nga nisja e konfliktit, lufta është “padyshim përtej gjysmës”, por më vonë sqaroi se kjo i referohej progresit të misioneve dhe jo kohës së kaluar.

Sipas tij, gjatë operacioneve janë vrarë “mijëra” anëtarë të Gardës Revolucionare të Iranit. Netanyahu shtoi se Izraeli, në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara, është “afër përfundimit të industrisë së armatimit” të Iranit, duke synuar shkatërrimin e impianteve dhe programit bërthamor.

Kryeministri izraelit theksoi se ndryshimi i regjimit në Iran nuk është objektiv i luftës, por u shpreh i bindur se Republika Islamike mund të “shembet nga brenda”.

Zhvillimet në vijim pritet të kenë ndikim të drejtpërdrejtë edhe në tregjet globale të energjisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë