Menaxhim

Miliardat e tenderave, rekord ankesash për AKSHI-n

Nga Gazeta ‘SI’ – Agjencia Kombëtare e Informacionit, AKSHI, rezulton si institucioni më problematik kur bëhet fjalë për tenderat.

Sipas shifrave nga Komisioni i Prokurimit Publik për vitin 2025, 43 prej 94 tenderave të zhvilluara nga ky autoritet janë ankimuar. Në rreth 70% të rasteve, rezulton se AKSHI ka operuar në shkelje dhe KPP u ka dhënë të drejtë kompanive ankimuese.

Lista vazhdon me QSUT-në, Postën Shqipëtare dhe bashkinë Tiranë, Kamzë dhe Durrës.

Në total gjatë 2025-s, janë regjistruar 1197 ankesa për një vlerë totale prej 76 mld lekësh, nga 361 operatorë ekonomikë. KPP thotë se ankesat nga 2024-a janë shtuar. Nga 361 operatorë që u ankuan në 2025, 350 ishin biznese të mëdha dhe vetëm 10 të vegjël.

Sipas raportit, numri më i madh i ankesave lidhet më së shumti me blerjet e mallrave, 483 ankesa.

Shifrat e Komisionit kanë rikthyer dhe njëherë në vëmendje dosjen famëkeqe të Ergys Agasit, që i ka kushtuar ish-drejtorësh së AKSHI-t, lirinë. Verën e 2025-s, SPAK vlerësoi se Mirlinda Karçanaj, biznesmeni Ermal Beqiri dhe Agasi ishin një “strukturë e organizuar kriminale”, që kishin  abuzuar dhe përfituar nga tenderimi publik. Rasti më flagrant ishte ai i biznesmenit Gerond Meçe, i cili u rrëmbye dhe u shantazhua për të hequr dorë nga tenderat e AKSHI-t.   


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë