Nga Gazeta Si- Pas datës 20 të çdo muaji, prej kohësh pacientët që janë të shtruar në QSUT janë në mëdyshje nëse do munden të bëjnë analiza më apo jo. Kjo ndodh sepse në 10 ditëshin e fundit, në spital kryhen vetëm analizat urgjente.
Kompania që ka koncesionin e analizave, çdo muaj lajmëron spitalin më të madh në vend se janë mbaruar fondet për analizat dhe kështu, 10 ditëshin e fundit të çdo muaji, në QSUT kryhen vetëm analiza urgjente, duke i ndarë pacientët në persona që kanë nevojë për analiza dhe personat që nuk kanë nevojë për analiza. Ndërkohë, çdo pacient i shtruar në spital ka nevojë për analiza, kur kjo është një nga arsyet pse është në spital.
Këtë e ka pranuar edhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Evis Sala, e cila tha se kjo ndodh për shkak të mungesës së fondeve.
Zgjidhja për këtë? Do të vijë me nge, brenda këtij viti, i cili ka dhe 9 muaj për të përfunduar. Thënë kjo, pacientët ka mundësi që të mos bëjnë analiza derisa ministria të mbledhë të gjitha të dhënat dhe më pas të bëjë vlerësimin për adresimin e problemit dhe zgjidhjen e tij.
“Aktualisht po vlerësojmë, kemi të gjithë të dhënat, e mbi bazën e të dhënave planifikimin e mirë të shërbimit. Nuk duhet të mungojnë analizat dhe këtë po e adresojmë dhe do ta zgjidhim brenda këtij viti”, tha ministrja, pa sqaruar se si mund të lihen pacientët pa analiza në spitalin më të madh të vendit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje