Nga Gazeta ‘SI’ – Qeveria ka hartuar një projektvendim të ri që synon të disiplinojë shfrytëzimin e hapësirave publike nga bizneset e sektorit të hoteleri-turizmit dhe gastronomisë. Sipas rregullores së re, baret, restorantet dhe hotelet do të kenë detyrime të qarta mjedisore dhe hapësinore dhe për çdo karrige të vendosur në hapësirë publike, biznesi ka detyrimin të mbjellë një pemë.
Rregullat e reja përcaktojnë se subjektet mund të zënë deri në 25% të gjerësisë së tyre për vendosjen e tavolinave. Megjithatë, ky shfrytëzim kushtëzohet nga garantimi i një kalimi të lirë për këmbësorët me gjerësi minimale prej 200 centimetrash. Ky standard synon të shmangë bllokimin e lëvizjes së qytetarëve, duke vendosur një kufi të prerë mbi sipërfaqen e lejuar për aktivitet tregtar.
Në rastet e shesheve publike, bizneset mund të shfrytëzojnë deri në 25% të thellësisë së sheshit, por me një kufizim maksimal prej 10 metrash thellësi frontazhi paralel me fasadën e objektit. Edhe në këtë rast, mbetet në fuqi detyrimi për të lënë një hapësirë prej të paktën 2 metrash për lëvizjen e lirë të njerëzve. Projektvendimi ndalon rreptësisht vendosjen e barrierave erëpritëse, vazove të mëdha apo elementëve të tjerë dekorativë që krijojnë pengesa fizike dhe cenojnë estetikën apo qarkullimin.
Procedura e aplikimit për lejen e shfrytëzimit do të kryhet plotësisht përmes portalit e-Albania. Leja e dhënë do të ketë një kohëzgjatje maksimale prej 2 vitesh, ndërsa për aktivitetet sezonale afati minimal nuk mund të jetë më pak se 3 muaj. Bizneset kanë të drejtë të riaplikojnë për leje vetëm nëse rezultojnë se nuk kanë kryer shkelje gjatë periudhës paraardhëse.
Rregullorja parashikon edhe masa të rrepta penalizuese për subjektet abuzuese. Nëse një biznesi i revokohet leja e shfrytëzimit më shumë se dy herë radhazi për shkak të shkeljeve të kushteve, ai humbet të drejtën për të aplikuar për një periudhë 2-vjeçare në asnjë prej hapësirave që administrohen nga Bashkia.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje