Tuberkulozi mbetet një problem i shëndetit publik në Europë, pasi rajoni po mbetet prapa objektivave të eliminimit, sipas një raporti të ri nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve.
Një në pesë raste të tuberkulozit në Europë nuk diagnostikohet, ndërkohë që rezistenca ndaj ilaçeve mbetet më e lartë se në pjesë të tjera të botës.
Ndërsa numri i përgjithshëm i rasteve ka rënë, tuberkulozi (TB) mbetet një problem i shëndetit publik në Bashkimin Europian dhe progresi drejt eliminimit mbetet i pamjaftueshëm, sipas raportit.
Tuberkulozi është shkaku kryesor i vdekjes nga një agjent i vetëm infektiv në mbarë botën. Është një sëmundje infektive që përhapet nga një person në tjetrin kur një individ me TB pulmonar nxjerr baktere në ajër duke kollitur.
Simptomat ndryshojnë në varësi të pjesës së trupit që është prekur. Më të zakonshmet përfshijnë kollë të vazhdueshme për më shumë se 2 javë, ethe, djersitje natën dhe humbje peshe.
Incidenca në të gjithë rajonin e Europës që përfshin 53 vende në Europë dhe Azinë Qendrore, ka rënë me 39 për qind që nga viti 2015, dhe numri i vdekjeve me 49 për qind.
Por të dyja shifrat nuk i arrijnë objektivat e Strategjisë së OBSH-së për Luftimin e Tuberkulozit për vitin 2025, përkatësisht 50 për qind dhe 75 për qind.
Në Bashkimin Europian, rastet janë ulur me 33 për qind dhe vdekjet me 17 për qind, jo mjaftueshëm për të arritur objektivat e saj për vitin 2030, “duke rezultuar në mijëra infeksione dhe vdekje të reja që mund të parandaloheshin”, vunë në dukje agjencitë shëndetësore.
Në vitin 2024, në rajon u raportuan më shumë se 160,000 raste të reja të diagnostikuara me TB, ndërsa numri i vlerësuar i rasteve aktuale ishte 204,000- që do të thotë se vetëm 79 për qind e rasteve të reja dhe të përsëritura u diagnostikuan.
Sipas Hans Kluge, Drejtor Rajonal i OBSH-së për Europën, numri i rasteve të padiagnostikuara përfaqëson jo vetëm një dështim në zbulim, por edhe një mundësi të humbur për të trajtuar pacientët më herët, për të parandaluar vuajtjet dhe për të ndaluar transmetimin e mëtejshëm.
Diagnoza e vonuar, zbuloi raporti, jo vetëm që prek personin e infektuar pasi është më e vështirë për t’u trajtuar, por gjithashtu rrit rrezikun e transmetimit tek të tjerët.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje