Bota

Pentagoni i kërkon Kongresit 200 mld $ për luftën në Iran (çfarë do të thotë)?

Gazeta Si – Departamenti i Mbrojtjes të SHBA-ve, i ka dërguar Shtëpisë së Bardhë (domethënë, presidencës) një kërkesë për 200 miliardë dollarë fonde shtesë për të mbuluar kostot e luftës në Lindjen e Mesme.

Administrata e Donald Trump do të duhet ta shqyrtojë kërkesën përpara se t’i paraqitet zyrtarisht Kongresit, i cili ka fuqinë për të autorizuar ndarjet. Kërkesa për një shumë kaq të madhe u raportua nga media të ndryshme amerikane (së pari “Washington Post”, pastaj AP  dhe “New York Times”), duke cituar burime të administratës.

Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth iu përgjigj një pyetjeje mbi këtë çështje në një konferencë për shtyp sot, duke thënë se “duhen para për të vrarë të këqijtë”, por pa konfirmuar shifrën.

Disa orë më vonë, Trump tha se kërkesa për financim mund të mos kufizohet vetëm në luftën që po zhvillohet dhe se është “një çmim i vogël për t’u paguar” për të ruajtur efektivitetin e ushtrisë “në një botë shumë të paqëndrueshme”.

Aktualisht është e paqartë se cilat operacione dhe për çfarë periudhe kohore do të mbulojnë 200 miliardë dollarët, gjë që ka tërhequr tashmë komente negative, madje edhe nga ligjvënësit republikanë.

Kongresi as nuk u konsultua dhe as nuk u informua para se të fillonte lufta, dhe miratimi i një ndarjeje kaq të madhe fondesh është larg të qenit i garantuar.

Departamenti i Mbrojtjes tha javën e kaluar se gjashtë ditët e para të luftës kushtuan 11.3 miliardë dollarë.

Për krahasim, në vitin 2014, një grup ekspertësh i Kongresit vlerësoi koston e 13 viteve të luftës në Irak në 815 miliardë dollarë, ndërsa fondet e ndara nga Shtetet e Bashkuara për Ukrainën pas pushtimit rus u vlerësuan në 188 miliardë dollarë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë