Rend dhe Ligj

Atentati në Rinas / Merren të pandehur 2 zyrtarë të AMP, punësuan Muçi Shaljanin me urgjencë!

Gazeta Si – Artion Saliasi, ish-drejtori i komanduar i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, është marrë i pandehur si i dyshuar në lidhje me rekrutimin në shkelje të ligjit në AMP të Muçi Shaljani (Sheqerit), i cili mbeti i vrarë në makinë me Gilmando Danin më 11 nëntor 2025, pasi dolën nga aeroporti i Rinasit.

Sipas burimeve, Saliasi është marrë i pandehur pas hetimeve të Prokurorisë së Tiranës dhe AMP-së për shpërdorim detyre, pasi edhe pse ishte punësuar, nuk kishte shkuar asnjë ditë në punë.

Ndërkohë, edhe drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Mbështetëse në AMP, Gëzim Sala, është marrë i pandehur, pavarësisht se është rikthyer në detyrë, pasi Apeli i hoqi masën e pezullimit nga detyra rreth 1 muaj më parë.

Nga hetimet rezultoi se Muçi Shaljani ishte punësuar prej afro dy muajsh si punonjës i AMP-së, në funksion ndihmës-specialist në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale.

Prokuroria konstatoi se dokumenti që iu gjet pas vrasjes, ishte i falsifikuar, pasi nuk rezultonte që AMP ta kishte pajisur me të.

Sipas Prokurorisë, ai kërkoi të punësohej në AMP më 9 shtator të vitit të kaluar dhe u pranua pas 6 ditësh, në kundërshtim me ligjin.

Punësimi i tij, sipas autoriteteve, duhej të bëhej pas disa fazave: hapja e vendit vakant, konkurrimi, testimi dhe deri tek urdhri i emërimit në detyrë.

Drejtori i Financës dhe Shërbimeve Mbështetëse pretendon se procedura e ndjekur për rekrutimin e Muçi Shaljanit nuk është ligjore dhe se ai ka nënshkruar miratimin vetëm për anën formale të akteve dhe jo për përmbajtjen.

Ndërkohë, Sala sipas Prokurorisë ka kërkuar që ky urdhër të bëhej shpejt, me motivacionin “pranohet me kontratë të përkohshme dhe për nevoja emergjente.”

Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani sapo ishin kthyer nga nga Spanja, kur ndaj tyre u bë atentat në rrethrrotullimin pranë aeroportit të Rinasit.

Dani humbi jetën menjëherë, ndërsa Shaljani mbeti fillimisht i plagosur, por ndërroi jetë disa ditë më vonë në spital.

Gilmando Dani, i cili mendohet se ishte shënjestra e sulmit, ishte emër i njohur për drejtësinë, pasi njihej si pjesëtar i grupit të Emiljano Shullazit. 

Pak ditë më parë, SPAK mori në dorë dosjen e atentatit të dyfishtë, pasi Prokuroria e Tiranës shpalli moskompetencën, duke argumentuar se vrasja është kryer nga një grup i strukturuar kriminal.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë