Nga Gazeta ‘Si’- Një kombinim i dy dietave të vlerësuara ndër më të mirat në botë mund të ngadalësojë plakjen e trurit me më shumë se dy vite, sipas një studimi të ri.
Ky regjim ushqimor, i njohur si dieta MIND (Mediterranean-DASH Diet Intervention for Neurodegenerative Delay), bashkon elementët më të shëndetshëm për trurin nga dieta mesdhetare dhe dieta DASH, e cila fokusohet në uljen e kripës dhe mbrojtjen e zemrës.
Edhe pse të treja dietat janë kryesisht me bazë bimore dhe të ngjashme mes tyre, dieta MIND i jep përparësi disa ushqimeve specifike që besohet se ulin rrezikun e demencës, si manaferrat, bishtajoret, perimet me gjethe jeshile, peshku, mishi i pulës, drithërat e plota, vaji i ullirit dhe arrat. Ndërkohë, kufizon fort ushqimet me yndyra të ngopura si djathi, gjalpi, mishi i kuq dhe ushqimet e skuqura.
Sipas studiuesve, personat që i përmbaheshin më shumë kësaj diete shfaqnin një plakje më të ngadaltë të strukturave të trurit gjatë një periudhe rreth 12-vjeçare.
Veçanërisht, ata kishin humbje më të ngadaltë të lëndës gri- pjesa e trurit që lidhet me kujtesën, të menduarit dhe vendimmarrjen.
Çdo rritje me tre pikë në ndjekjen e dietës MIND lidhej me 20% më pak tkurrje të lëndës gri, që përkthehet në një vonesë prej rreth 2.5 vitesh në plakjen e trurit.
Studimi, i publikuar në një revistë shkencore të neurologjisë, analizoi mbi 1.600 të rritur pa shenja të mëparshme të goditjes në tru apo demencës. Pjesëmarrësit u ndoqën për vite me radhë përmes pyetësorëve ushqimorë, kontrolleve shëndetësore dhe skanimeve të trurit.
Rezultatet treguan gjithashtu se dieta ndikonte edhe në një pjesë tjetër të rëndësishme të trurit: personat që e ndiqnin më nga afër kishin zgjerim më të ngadaltë të ventrikujve – hapësira të mbushura me lëng që zmadhohen me kalimin e moshës dhe lidhen me atrofizimin e trurit.
Për çdo tre pikë më shumë në respektimin e dietës, zgjerimi i këtyre strukturave ulej me 8%, duke reflektuar një “moshë truri” rreth një vit më të re.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se studimi është vëzhgues dhe nuk provon drejtpërdrejt shkak-pasojë. Është e mundur që personat me tru më të shëndetshëm të kenë bërë zgjedhje më të mira ushqimore, por sipas ekspertëve, lidhja më e besueshme mbetet se një ushqyerje e shëndetshme ndikon pozitivisht në funksionin e trurit.
Kur u analizuan ushqimet veç e veç, u vu re se manaferrat dhe mishi i pulës kishin ndikimin më të madh kundër plakjes së trurit.
Manaferrat ngadalësonin zgjerimin e ventrikujve, ndërsa pula ndikonte si në ruajtjen e lëndës gri, ashtu edhe në frenimin e këtij zgjerimi.
Në të kundërt, konsumi i lartë i ëmbëlsirave dhe ushqimeve të skuqura lidhej me plakje më të shpejtë të trurit, duke përfshirë dëmtimin e hipokampusit – zona kryesore e kujtesës.
Disa rezultate ishin të papritura, si roli i mundshëm mbrojtës i djathit apo lidhja e drithërave të plota me rënie më të shpejtë të lëndës gri.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se këto gjetje nuk duhen interpretuar të izoluara, pasi ajo që ka më shumë rëndësi është modeli i përgjithshëm i të ushqyerit dhe jo një ushqim i vetëm.
Burimi: CNN/Përshtati Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje