Nga Gazeta Si- Mungesa e një financimi të qëndrueshëm për shërbimin e Kujdesit Shëndetësor në Banesë (KSHB) rrezikon vazhdimësinë e këtij shërbimi jetik, duke vënë në rrezik shëndetin dhe mirëqenien e pacientëve.
Shoqata Together for Life (TFL) ka ngritur alarmin për rreth 5 mijë pacientë që aktualisht e marrin këtë shërbim, si dhe të mijëra të tjerëve që kanë nevojë për të.
Ky shërbim ofrohet për pacientët që nuk mund të arrijnë qendrat shëndetësore për shkak të pamundësisë së përkohshme ose të përhershme për të lëvizur.
Together for Life thekson se shërbimi i Kujdesit Shëndetësor në Banesë është një ndër mekanizmat më të rëndësishëm për të garantuar akses të barabartë në kujdes shëndetësor për pacientët më vulnerabël, dhe kërkon që ky shërbim të financohet në mënyrë të dedikuar nga buxheti i shtetit dhe të përfshihet si një linjë e veçantë në programin buxhetor të kujdesit shëndetësor parësor.
Eglantina Bardhi, drejtore ekzekutive e Together for Life, kërkon që Ministria e Shëndetësisë të marrë sa më shpejt vendimin për financimin e këtij shërbimi.
Markens Shllaku, Zv/Drejtor i Përgjithshëm i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, theksoi në një takim të mbajtur me përfaqësues të shoqatave dhe qeverisë, se shërbimi është aktualisht pjesë e paketës së kujdesit shëndetësor parësor, por propozimi për krijimin e një linje të veçantë buxhetore duhet të diskutohet.
Përfaqësuesit e institucioneve të pavarura ngritën gjithashtu shqetësime për respektimin e të drejtave të pacientëve dhe qasjen ndaj grupeve vulnerabël.
Mirela Rrumbullaku, përfaqësuese e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, thekson se sistemi shëndetësor duhet të ndryshojë qasjen ndaj pacientëve vulnerabël dhe të rrisë ndërgjegjësimin e stafit shëndetësor për respektimin e të drejtave të tyre.
Ndërkohë, përfaqësuesit e pacientëve paralajmëruan se mungesa e këtij shërbimi ka pasoja të drejtpërdrejta për jetën e tyre.
Bajram Tirana, nga Shoqata e Para-tetraplegjikëve, deklaroi se shumë persona me dëmtime të rënda të lëvizshmërisë nuk marrin shërbimin e nevojshëm dhe se implementimi i plotë i Kujdesit Shëndetësor në Banesë duhet të fillojë pa vonesa.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje