Nga Gazeta ‘Si’- Të kujdesesh për zemrën shpesh duket si një problem për të nesërmen.
Në fund të fundit, dëmtimi i këtij organi zakonisht grumbullohet në heshtje: pllakat formohen në arterie ose tensioni i gjakut rritet gradualisht për vite me radhë pa simptoma të dukshme derisa ndodh një problem serioz dhe dëshiron të kishe ndërhyrë më herët.
Pikërisht për këtë arsye kardiologët sugjerojnë të rishikosh stilin e jetesës që tani, duke përfshirë jo vetëm krijimin e zakoneve të shëndetshme, por edhe heqjen dorë nga disa të tjera që nuk e mbështesin shëndetin e zemrës.
Ndoshta mund të përmendësh dy nga zakonet më të dëmshme për zemrën: pirjen e duhanit dhe konsumimin e alkoolit.
Duhani dëmton enët e gjakut dhe rrit rrezikun për mpiksje gjaku, ndërsa alkooli mund të rrisë tensionin. Por ka edhe disa sjellje të përditshme që mund të rrezikojnë shëndetin afatgjatë të zemrës. Më poshtë, gjashtë kardiologë tregojnë gjërat e zakonshme që ata vetë përpiqen t’i shmangin për të mbrojtur zemrën.
1. Shmangin sa më shumë mishin e kuq, ushqimet e skuqura dhe ato shumë të përpunuara
Ky ishte zakoni kryesor që përmendën pothuajse të gjithë kardiologët. Julie Delphin, kardiologe në NYU Langone Health, thotë se gjatë javës ndjek një dietë dhe mish të kuq konsumon vetëm në fundjavë, si mënyrë për të kufizuar sasinë pa qenë nevoja të numërojë porcionet.
Ndërkohë Sonia Tolani nga Columbia University Irving Medical Center kufizon mishin e kuq, ushqimet e skuqura dhe ushqimet ultra të përpunuara duke ndjekur një dietë mesdhetare. Kjo dietë përdor vajin e ullirit si yndyrën kryesore dhe mbështetet në proteina më të lehta si peshku dhe bishtajoret.
Sipas kardiologes Megha Agarëal nga UCLA Health, kjo mënyrë ushqyerjeje ul yndyrnat e ngopura që rrisin kolesterolin. Ndërkohë ushqimet shumë të përpunuara si biskotat dhe patatinat kanë shpesh shumë sheqer dhe kripë, një kombinim që rrit tensionin e gjakut.
2. Nuk ndjekin dieta ekstreme apo stërvitje të tepërta
Ndryshimet drastike në stilin e jetesës nuk janë zgjidhja, thotë Emily Lau, kardiologe në Brigham and Women’s Hospital.
“Shëndeti i zemrës është një maratonë, jo një sprint,” shpjegon ajo. Çdo rutinë që nuk mund ta mbash për një kohë të gjatë ka pak përfitime reale.
Dieta shumë të rrepta ose programet intensive të stërvitjes mund të kenë efekt të kundërt.
Konsumi i tepërt i proteinave mund të rrisë rrezikun e grumbullimit të pllakave në arterie, ndërsa kufizimi i karbohidrateve mund të ulë marrjen e antioksidantëve.
3. Nuk obsesionohen me një rutinë “perfekte” ushtrimesh
Dr. Tolani dikur shkonte në palestër disa herë në javë për stërvitje të gjata, por me kalimin e kohës e kuptoi se ishte më e rëndësishme të lëvizte sa herë që kishte mundësi. Tani ajo bën shëtitje të shpejta 20-minutëshe, disa ushtrime të shkurtra ose kërcen me fëmijët.
Edhe Aparna Srinivasan përpiqet të shtojë aktivitet gjatë ditës, për shembull duke shmangur ashensorët. Studimet tregojnë se edhe pak aktivitet fizik është më mirë sesa aspak.
4. Nuk e ndryshojnë shpesh orarin e gjumit
Dr. Lau përpiqet të flejë dhe të zgjohet çdo ditë në të njëjtën orë. Një orar i çrregullt i gjumit mund të pengojë uljen natyrale të tensionit gjatë natës dhe të shkaktojë inflamacion që favorizon bllokimin e arterieve.
Për këtë arsye ajo shmang edhe tundimin për të qëndruar zgjuar vonë duke parë një episod tjetër në televizor.
5. Nuk përdorin shpesh shishe plastike njëpërdorimëshe
Sipas Dr. Agarëal, shmangia e tyre ndihmon në uljen e ekspozimit ndaj mikroplastikës. Një studim i vitit 2024 zbuloi se njerëzit te të cilët u gjetën mikroplastika në pllakat e arterieve kishin rreth 4.5 herë më shumë rrezik për infarkt, goditje në tru ose vdekje gjatë disa viteve pasuese.
Në fund, ekspertët theksojnë se nuk bëhet fjalë për ndalime absolute.
Një natë pa gjumë apo një darkë me biftek herë pas here nuk do të dëmtojë zemrën. Ajo që ka rëndësi janë ndryshimet e vogla dhe të qëndrueshme në stilin e jetesës që mbahen për vite me radhë-ato që në fund bëjnë diferencën në rrezikun për sëmundje të zemrës.
Burimi: Self.com/Përshtati Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje