Menaxhim

Çmimi i naftës, Ministria e Financave ngre Task Forcën e përbashkët mes Tatimeve dhe Doganave

Nga Gazeta ‘SI’ – Ministria e Financave ka vendosur ngritjen e një Task-Force të përbashkët mes administratës tatimore dhe asaj doganore për monitorimin e tregut të karburanteve në vend. Vendimi u dakordësua në një takim të zhvilluar nga ministri i Financave, Petrit Malaj, me Drejtorin e Përgjithshëm të Tatimeve, Ilir Binaj, dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Doganave, Besmir Beja.

Sipas Ministrisë së Financave, është miratuar një plan operacional që synon rritjen e kontrollit dhe efikasitetit tatimor dhe doganor në sektorin e hidrokarbureve, si në tregtimin me shumicë ashtu edhe në atë me pakicë. Qëllimi është shmangia e rritjeve abuzive të çmimeve të karburanteve dhe mbrojtja e konsumatorëve.

Ministri Malaj deklaroi se ngritja e këtij grupi operacional lidhet edhe me zhvillimet e fundit ndërkombëtare, të cilat kanë ndikuar në tregjet e hidrokarbureve.

Sipas tij, çmimet e karburanteve do të jenë nën monitorim të vazhdueshëm nga Tatimet dhe Doganat, për të parandaluar çdo rritje të pajustifikuar në treg, si në nivel shumice ashtu edhe pakice.

“Janë përcaktuar hapat që do të ndiqen nga dy institucionet, duke nisur nga vlerësimi i riskut për operatorët që veprojnë në këtë sektor, por edhe nga mbledhja e informacioneve nga tregu për abuzime të mundshme. Kontrollet do të përfshijnë jo vetëm verifikimin e dokumentacionit tatimor dhe doganor, por edhe kontroll fizik të sasive të hidrokarbureve që tregtohen nga operatorët”, u shpreh Malaj.

Ai shtoi se Ministria e Financave mbetet e angazhuar për një administrim më të mirë tatimor dhe doganor, në funksion të interesit të qytetarëve.

Ndërkohë, drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, bëri të ditur se kontrollet do të shtrihen në të gjithë territorin e vendit dhe do të bazohen në subjektet e identifikuara me risk.

Sipas tij, do të krijohen grupe të përbashkëta kontrolli me administratën tatimore për të garantuar që aktiviteti i operatorëve të zhvillohet në përputhje me ligjin, çdo shitje të jetë e regjistruar fiskalisht dhe karburanti i tregtuar të ketë përmbushur të gjitha detyrimet doganore dhe tatimore.

Nga ana tjetër, drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj, tha se institucionet kanë koordinuar planin operacional dhe kanë nisur analizën e riskut për operatorët në këtë sektor.

Sipas tij, përvoja nga operacionet e mëparshme ka ndihmuar në identifikimin e problematikave konkrete në tregun e hidrokarbureve, ndërsa operacioni synohet të shtrihet në një periudhë më të gjatë kohore, me qëllim rritjen e formalizimit dhe garantimin e funksionimit të rregullt të tregut.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë