Nga Gazeta Si- Në një konferencë, ministrja e Shëndetësisë Evis Sala lajmëroi se një ditë më parë është marrë vendimi nga bordi i QSUT-së që të krijohet Qendra e Gjirit.
“Qendra e Gjirit, ajo që quhet ‘Breast unit’ do të krijojë kushte për trajtimin me qasje multidisiplinare për trajtimin e pacientëve me kancer të gjirit”, tha ministrja.
Ndërkohë, Drejtoresha e Qendrës Spitalore “Nënë Tereza”, Anxhela Paparizo, duke folur për operacionet kardiologjike, tha se nuk ka pasur asnjë denoncim nga qytetarët për mjekët që dërgojnë pacientët në privat.
Duke u nisur nga denoncimi se pacientët dërgohen në privat për ndërhyrje, Paparizo tha se “nuk kam njohuri për marrje lekësh dhe nuk kemi denoncim për këto raste”.
Ajo shtoi se shumë shpejt do të nisë shërbimi në godinën e re të kardiologjisë.
Ndërkohë, edhe godina e Spitalit Onkologjik do të rikonstruktohet.
“2026 është viti i organizimit të plotë të shërbimit onkologjik. Kemi ngritur grupin e punës për krijimin e Institutit Kombëtar të Kancerit dhe rrjetit kombëtar të sëmundjeve tumorale. Kemi nisur analizën e plotë të situatës aktuale, siç e thashë diagnostikimi është një fillim shumë i mirë, për këtë po shohim shpërndarjen sipas rajoneve, kapacitetet… Nga bordi i tumoreve në QSUT në bashkëpunim me Institutin Nacional të Tumoreve në Milano, kemi miratuar 30 protokolle të unifikuara trajtimi.”, tha ministrja Sala.
Përpos këtyre, ministrja theksoi se së shpejti do vihet në punë edhe akselatori i tretë, ndërsa theksoi se do të ketë një zgjerim të bashkëpunimit me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike për PET scan.
“Kemi rinovuar dhe zgjeruar bashkëpunimin me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike dhe kjo është fokusuar në 3 drejtime kryesore. Së pari ardhja e akselatorit të 3-të, i cili është instaluar, po bëhet kolaudimi nga ekspertët bërthamorë dhe do të nisë së shpejti funksionimi. Së dyti, përditësimi i dy ekselatorëve ekzistues, që i ngre në një nivel shumë të lartë teknik për trajtimin e pasientëve. Trajnimi i stafit për leximin e ekzaminimeve të Pet Scan, ndërkohë problem ekzistues është aparatura e brakiterapisë e cila brenda vitit do të instalohet e re.“, deklaroi ministrja.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje