Nga Gazeta Si- Për të mposhtur obezitetin rekomandohen një sërë politikash që mund të marrin qeveritë, ku dy më kryesoret janë udhëzimi për aktivitet fizik dhe ushqyerja shëndetshëm. Në të dyja këto, Shqipëria ka dështuar zyrtarisht.
Sipas dy raporteve nga OBSH, njëri i publikuar para pak kohësh dhe tjetri i publikuar të martën, Shqipëria nuk ka udhëzime kombëtare për aktivitetin fizik për fëmijët. Gjithashtu, Shqipëria ka masa për kufizimin e marketingut të ushqimeve në shkolla por nuk ka marrë masa të zgjeruara në zonat përreth shkollave.
Kjo, sipas udhëzuesit të OBSH-së, e pozicionon Shqipërinë në një nivel të ndërmjetëm, krahas vendeve që kanë marrë masa por pas shteteve që kanë vendosur rregulla më të rrepta dhe gjithëpërfshirëse.
Në anketën e fundit të publikuar, vendeve iu kërkua të raportonin nëse kanë udhëzime kombëtare për aktivitetin fizik për grupe të ndryshme të popullsisë.
Rezultatet tregojnë se vendi ynë nuk ka udhëzime të tilla as për fëmijët 5–19 vjeç dhe as për ata nën 5 vjeç.
Në praktikë, studimet dhe raportet në Shqipëri zakonisht përdorin rekomandimet ndërkombëtare të OBSH-së. Megjithatë, këto janë udhëzime globale, jo një strategji apo udhëzim i miratuar zyrtarisht nga institucionet shqiptare, në bazë të kërkesave dhe specifikave për fëmijët shqiptarë.
Ekspertët theksojnë se aktiviteti i rregullt fizik gjatë fëmijërisë sjell përfitime të shumta për shëndetin dhe lidhet me një rrezik më të ulët të obezitetit.
Në Shqipëri, sipas OBSH-së, në 2025 ishin rreth 69 mijë fëmijë nga 10-19 vjeç mbipeshë dhe obezë.

Përveç faktorëve të tjerë të njohur të rrezikut për obezitetin tek fëmijët, një rol të rëndësishëm luajnë edhe mjediset ushqimore. Ato ndikojnë në zakonet e të ushqyerit që në moshë të vogël dhe shpesh përcaktojnë preferencat ushqimore edhe në moshë madhore.
Të ashtuquajturat mjedise ushqimore “obezogjene” nxisin shtimin në peshë përmes disa faktorëve, si mjedisi i ndërtuar, disponueshmëria dhe përballueshmëria e ushqimit, si dhe marketingu i produkteve ushqimore.
Në udhëzuesin “Politikat dhe ndërhyrjet për të krijuar mjedise të shëndetshme ushqimore në shkolla” thuhet se politikat ekzistuese për ushqimin në shkolla dhe përreth nuk janë të plota, të unifikuara apo të monitoruara rregullisht.
Për ekspertët e shëndetit publik, kjo tregon se megjithëse Shqipëria ka ndërmarrë hapa fillestarë, mbetet ende hapësirë për forcimin e kuadrit ligjor dhe mbrojtjen më efektive të fëmijëve nga marketingu i ushqimeve jo të shëndetshme.
“Është e rëndësishme të theksohet se asnjë ndërhyrje e vetme nuk mund të sigurojë që të gjithë elementët e mjedisit ushqimor shkollor të promovojnë dhe mbështesin dietat e shëndetshme. Përkundrazi, kërkohet një grup i koordinuar dhe gjithëpërfshirës veprimesh politike”, thuhet në udhëzues.
Edhe pse disa masa fillestare për ushqimin në shkolla ekzistojnë, mungesa e udhëzimeve kombëtare për aktivitetin fizik dhe politika gjithëpërfshirëse i lë fëmijët shqiptarë të ekspozuar ndaj obezitetit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje