Gazeta Si – Ambasada e SHBA-ve në Riad u godit nga dy dronë, duke shkaktuar një zjarr të kufizuar dhe disa dëme materiale. Kështu ka njoftuar këtë të martë, më 3 mars, ministria e mbrojtjes së mbretërisë në një postim në X.
Sulmi me dronë ndodhi mes sulmeve të vazhdueshme me raketa dhe dronë iranianë ndaj shteteve të Gjirit që strehojnë bazat amerikane, pas sulmeve të SHBA-ve dhe Izraelit ndaj Iranit të shtunën, që i morën jetën udhëheqësit suprem, Ajatollah Ali Khamenei.
Një shpërthim i fortë u dëgjua dhe flakë u panë në ambasadën e SHBA-ve në Riad herët në mëngjesin e së martës, thanë tre persona të njohur me çështjen, me një prej tyre që tha se zjarri ishte i vogël. Tym i zi u pa duke u ngritur mbi Zonën Diplomatike të Riadit, ku ndodhen misionet e huaja.
Nuk u raportuan të lënduar, thanë për “Reuters” dy nga personat e njohur me çështjen, pasi ndërtesa ishte bosh në orët e para të mëngjesit.
Ambasada publikoi një njoftim herët të martën për qytetarët amerikanë në Riad, Xheda dhe Dhahran, që ata të gjejnë strehë dhe u rekomandoi të shmangin ambasadën deri në një njoftim të mëtejshëm për shkak të sulmit ndaj objektit.
Ndërkohë, IDF njoftoi se trupat e ushtrisë ziarelite hynë në Libanin jugor nga toka, duke pushtuar disa pozicione aty pranë si pjesë e një plani për të forcuar mbrojtjen e frontit, raportoi një zëdhënës i ushtrisë.
Izraeli ka kryer gjithashtu disa sulme ndaj atyre që i quan objektiva të Hezbollahut në Liban. Zyrtarët e shëndetësisë në Liban thonë se sulmet izraelite kanë vrarë 52 persona, ndërsa qindra banorë të Bejrutit janë detyruar të evakuohen në strehimore si pasojë e bombardimeve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje