Nga Gazeta ‘Si’- Shpërthime të forta u dëgjuan në qytetet e Gjirit (Dubai, Doha dhe Manama) si dhe në Jeruzalem të hënën, ndërsa Teherani vazhdoi ditën e tretë të sulmeve ndaj Izraelit dhe fqinjëve të Gjirit, në përgjigje të sulmeve amerikano-izraelite.
Mediat e huaja raportojnë për disa shpërthime të fuqishme të dëgjuara në kryeqytetet e Katarit dhe Bahreinit, si edhe në qytetin më të populluar të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Forcat Ajrore të Izraelit deklaruan në rrjetin social X pak më parë se disa raketa ishin lëshuar nga Irani drejt Izraelit dhe se sistemet e mbrojtjes ishin duke vepruar për t’i interceptuar.
Postimi shtoi gjithashtu se publikut në zonat përkatëse iu dërgua njoftim përmes telefonave celularë që të shkonin në “hapësira të mbrojtura” dhe të qëndronin aty deri në një njoftim të mëtejshëm.
Sulmet izraelite në Bejrut dhe në jug të Libanit kanë vrarë 31 persona dhe kanë plagosur 149 të tjerë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Libanit.
Deklarata sqaron se ky është vetëm një bilanc paraprak dhe se numri i viktimave dhe i të plagosurve mund të jetë më i lartë.
E ardhmja e Lindjes së Mesme varet nga rezultati i luftës së SHBA-ve dhe Izraelit kundër Iranit, tha presidenti i Izraelit në një intervistë për programin Today të BBC Radio 4.
Isaac Herzog deklaroi: “Jemi në një pikë historike ku e ardhmja e Lindjes së Mesme varet nga suksesi i kësaj operacioni.”
Ai e përshkroi Republikën Islamike si “perandoria e së keqes” që dëshiron “të na fshijë nga harta”.
I pyetur për ligjshmërinë e sulmeve të Izraelit, Herzog tha se Irani ka “tentuar të sulmojë Izraelin nga të gjitha anët e botës”.
Ai shtoi: “Ne kemi një sasi të madhe provash, të cilat po i ndajmë sigurisht me aleatët tanë britanikë dhe të tjerë. Ne duam të sigurohemi që të ketë një ndryshim real në rajon.”
Ndërkohë presidenti amerikan Donald Trump zbuloi se konflikti me Iranin mund të zgjasë rreth katër javë.
“Ne gjithmonë e kemi menduar si një proces katër-javor. Është një vend i madh, do të duhen katër javë ose më pak”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje