Nga Gazeta ‘SI’ – Pas sulmeve të SHBA-ve dhe Izraelit ndaj Iranit dhe hakmarrjes së Teheranit, reagimet e liderëve botërorë janë të ndryshme.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, deklaroi se përshkallëzimi i konfliktit mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Izraelit dhe Iranit është i rrezikshëm për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.
Ai theksoi se regjimi iranian nuk ka alternativë tjetër përveçse të angazhohet në negociata të sinqerta për t’i dhënë fund programeve të tij bërthamore dhe raketore, si dhe veprimeve destabilizuese në rajon. Macron shtoi se populli iranian duhet të ketë mundësinë të ndërtojë lirshëm të ardhmen e tij.
Presidenti i Finlandës, Alexander Stubb, deklaroi se zakonisht sulme të tilla ndaj Iranit janë justifikuar përmes Kombeve të Bashkuara ose të paktën në koordinim me aleatët.
Sipas tij, këtë herë nuk është kërkuar gjerësisht një mbështetje apo mandat i tillë, duke ngritur pikëpyetje mbi legjitimitetin dhe procesin e vendimmarrjes.
Ursula von der Leyen thotë se BE-ja ka vendosur “sanksione të gjera” ndaj Iranit dhe kërkon të mbrohen civilët dhe të respektohet ligji ndërkombëtar.
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni shpreh solidaritet me popullin civil të Iranit dhe kërkon respektimin e të drejtave civile dhe politike.
Kreu i qeverisë australiane Anthony Albanese mbështet popullin e Iranit në luftën kundër shtypjes qeveritare dhe qëndrimin e SHBA-së për të parandaluar armët bërthamore iraniane.
Pushteti në Rusi i quan veprimet e SHBA-së dhe Izraelit “të pakujdesshme” dhe kërkon zgjidhje politike dhe diplomatike.
Qeveria britanike paralajmëron kundër përshkallëzimit dhe thotë se është e gatshme të mbrojë interesat e saj.
Ministri i Jashtëm i Omanit, Badr Albusaidi shprehet në X se është i dëshpëruar, në lidhje me atë që ka ndodhur gjatë ditës së sotme, ku SHBA-të dhe Izraeli sulmuan Iranin. Albusaidi i bën thirrje Shteteve të Bashkuara që mos përshkallëzojnë situatën më tej.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje