Menaxhim

Regjistër online për njerëzit që u ndalohet hyrja në kazino dhe lloto

Nga Gazeta ‘SI’ – Qeveria ka miratuar një vendim të ri që krijon një regjistër elektronik për personat që duan ose u ndalohet hyrja në lojërat e fatit, si në kazino fizike, ashtu edhe në faqet online, aplikacionet dhe platformat elektronike.

Regjistri do të menaxhohet nga Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit (AMLF) dhe do të jetë i aksesueshëm vetëm nga operatorët e licencuar, të cilët mund të kontrollojnë vetëm të dhënat për të verifikuar ndalimet.

Kërkesat mund të bëhen nga vetë lojtari ose nga një anëtar i familjes përmes portalit “e-Albania”. AMLF vendos për kërkesat individuale brenda 2 ditëve, dhe për ato nga familjarët brenda 5 ditëve, duke verifikuar dokumentacionin përkatës.

Qëllimi i regjistrit është të ndihmojë personat me probleme të lojërave të fatit, duke parandaluar ndikimet negative në financat dhe jetën familjare, dhe duke ofruar një mënyrë të sigurt për të kontrolluar aksesin në lojërat e fatit.

Vendimi hyn në fuqi pas publikimit në Fletoren Zyrtare, ndërsa AMLF do të garantojë që të dhënat të ruhen në përputhje me ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale.

Kjo masë shërben si instrument mbrojtës për qytetarët dhe një hap drejt uljes së pasojave sociale dhe ekonomike nga varësia ndaj lojërave të fatit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë