Nga Gazeta ‘Si’- Një tram që po ecte me shpejtësi doli nga shinat dhe u përplas me një pallat në Milano, duke lënë pas dy të vdekur dhe të paktën 39 të plagosur.

Ngjarja ndodhi pasditen e së premtes, në rrugën Vittorio Veneto. Trami i linjës 9, i modelit të ri Tramlink, vinte nga Piazza della Repubblica dhe ishte nisur drejt Piazza Oberdan. Në kryqëzimin me via Lazzaretto, mjeti që duhej të vazhdonte drejt mori kthesën papritur. Trami po ecte shumë shpejt. Me të dalë nga nga shinat, trami rrëzoi semaforin dhe u fut në cep të një ndërtese, duke shkatërruar edhe xhamin e një restoranti.
Disa pasagjerë mbetën të bllokuar brenda tramvajit.
“Mu duk sikur ra tërmet. Isha i ulur dhe përfundova përtokë, bashkë me pasagjerë të tjerë. Ishte e tmerrshme. Për fat, kam vrarë vetëm gjurin por një burrë afër meje kishte gjak në kokë” tha një prej pasagjerëve.

Autoritetet po hetojnë shkakun e aksidentit mes dyshimeve për defekt ose problem shëndetësor të shoferit. Mediat raportojnë se çështja i është besuar prokurores Elisa Calanducci dhe hetimet do të fokusohen tek dy akuza: ‘vrasje nga pakujdesia’ dhe ‘plagosje nga pakujdesia’.
Kryebashkiaku i Milanos e përshkroi ngjarjen si një tragjedi të rëndë.
“Duhet një analizë për të kuptuar se çfarë ka ndodhur. Do të ketë hetime’ tha Giuseppe Sala në vendngjarje.
Për ngjarjen reagoi edhe presidentja e Parlamentit Europian Roberta Metsola.
“Mendimet e mia shkojnë tek personat e përfshirë në këtë aksident tragjik. Uroj që të gjithë të plagosurit të shërohen sa më parë. Forcave të rendit u them faleminderit për gjithçka që bëni për të ndihmuar njerëzit në vështirësi” shkroi ajo.

Trami elektrik është 25 metra i gjatë dhe përbëhej nga tre vagonë me 66 ulëse gjithsej.
Modeli Tramlink ka nisur të qarkullojë në Milano vetëm prej pak javësh. Është një nga tramvajet e parë me dy drejtime në qytet, me dy kabina drejtimi dhe tre vagona të lidhur mes tyre.
Mes pistave që po hetohen është një problem shëndetësor i shoferit ose një defekt në sistemin e shkëmbimit të shinave, që u gjet i vendosur në pozicion kthimi. Hetimet vazhdojnë për të kuptuar çfarë e shkaktoi përplasjen.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje