Nga Gazeta Si- Edhe sikur të jetë rastësi në një vend si Shqipëria ku shumica e gjerave shërbehen sikur ndodhin rastësisht, takimi i miliarderit të vetëm shqiptar Samir Mane me Presidentin e Federatës së futbollit Armando Duka nuk tingëllon rastësisht vetëm pak ditë pasi u njoftua publikisht nga qeveria se ligji për sponsorizimet në sport do jetë fuqiplotë vitin tjetër.
Të dy miqtë, secili ekskluziv në fushën e vet, i pari i vetmi miliarder shqiptar dhe i dyti ‘auokrati” i padiskutueshëm për 24 vite në krye të federatës ishin takuar për një mundësi të re.
“Unë nuk marr vesh nga futbolli por presidenti Duka do të më mbushë mendjen që të merrem pak më shumë me financimin e futbollit”. Kështu thoshte biznesmeni Samir Mane në Facebook-un e tij)…
Të dy kanë aftësi për të lobuar. Mane po të dojë mund të zhvendosë edhe vijën e verdhë të një qyteti, Duka ka treguar se edhe nëse vjen nga një nga vendet më të prapambetura në futboll mund të kapësh majat e institucioneve botërore.
Pasi Duka i propozon Manes që të marrë nën menaxhim një skuadër futbolli, biznesmeni thotë “do ta shikoj”, pasi sipas tij, mund të humbë para. Duka e siguron se nuk ka humbur kurrë para dhe nuk do ndodhë as këtë herë.”
Ka shumë kofidencë dhe besim mes tyre sikur të kenë një jetë të lidhur duke luftuar për sportin.
Kaluan shumë vite dhe pati shumë luftë për të arritur deri tek ligji i sponsorizimeve që siç premtoi ministri i sporteve Bendi Gonxhe do miratohet vitin tjetër.
Shpesh herë biznesmenë dhe aktorë të tjerë të lidhur me sportin kanë kërkuar me ngulm dhe argument miratimin e këtij ligji por janë përballur me kundërshtinë e qeverisë.
Një nga ‘luftëtarët’ më të mëdhenj të ligjit për sponsorizimet ndër vite ka qenë Koço Kokëdhima, biznesmen dhe president i Apolonisë.
Ai, shpesh dhe duke u përfshirë në debate mediatike, ka thënë para disa vitesh se ligji për sponsorizimet është një nga kërkesat elementare që vë në sprovë vullnetin e një qeverie.
“Ligji në çdo vend të kontinentin ka dy aspekte por unë po qëndroj vetëm të njëri aspekt: Sponsorizimi i klubeve dhe projekteve në futboll bëhet nga tatim fitimi. Nga tatim fitimi, ky buxhet është buxhet që mund të lëvrohet në tregun e futbollit, që mund të përdoret për infrastrukturë, që mund të përdoret për fusha, që mund të përdoret për palestra, për projekte të tjera, për akademitë, për profesorët që marrin moshat. Qeveria i ka braktisur përgjegjësitë e veta”, tha në 2020 Kokëdhima.
Kokëdhima tha me forcë asokohe se do të bëjnë edhe lajm botëror në rast se është e nevojshme, vetëm që qeveria të dëgjojë kërkesën.
Një tjetër biznesmen, njëherësh edhe President i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari ka folur prej vitesh për ligjin, duke shkuar më tej debateve, me analiza të gjata dhe argumente se pse duhet ky ligj.
Ponari, në një analizë të gjatë të botuar në 2018, thotë se si njeri i biznesit dhe si President I Federatës së Basketbollit “e di fort mirë se çfarë duhet edhe për sportin, edhe për biznesin dhe sesi duhet bërë”.
Ai tha se vendet fqinje e kanë fare mirë të rregulluar këtë ligj dhe kjo është arsyeja se pse vendet e tjera kanë sport të zhvilluar, kanë talente dhe sport elitar.
“Sepse kanë ndërtuar iniciativat e duhura ligjore që sporti të zhvillohet dhe biznesi të mos dëmtohet”, tha Ponari.
Prej vitesh, kërkesa për ligjin e sponsorizimeve është artikuluar me tone të larta, analiza të gjata dhe akuza direkte ndaj qeverisë. Ka patur personazhe të pikasur kjo histori e shumë të tjerë që kanë sakrifikuar financat por asnjërin prej tyre nuk takoi zotin Duka. Ai nuk takoi as të tjerë biznesmenë që sot aktualisht po paguajnë për sportin e klubeve: Të paktën në respekt dhe mirënjohje në emër të një lufte shumë vjeçare dhe hera herës të pashpresë, por siç është premtuar do të konkludojë me fitore. Por fare thjesht me vetëm pak ditë nga bërja e lajmit publik, vetëm përmes një bisede miqësore, po ndërtohet një realitet i ri.
Dhe këtë herë, duket se fjala e fundit mund të mos vijë nga ata që ‘bërtasin’ dhe “marrin vesh nga sporti”, por nga ata që dinë si funksionon financa dhe janë mjeshtra të lobimit në heshtje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje