Fondi Monetar Ndërkombëtar ka kritikuar Kinën për politikat e saj ekonomike duke i kërkuar “t’i rishikojë” ato.
“Tranzicioni drejt një modeli rritje me bazë konsumin duhet të jetë prioriteti kryesor”, thanë bordi drejtues i FMN-së në një deklaratë për mediat.
FMN theksoi suficitin e madh të llogarisë korrente të Kinës, i cili ka sjellë “efekte negative për partnerët tregtarë”. Sipas Fondit, një pjesë e kësaj teprice lidhet me rritjen e eksporteve të nxitur nga “zhvlerësimi real i RMB-së”, duke iu referuar dobësimit të renminbit (i njohur edhe si juani) të korrigjuar për inflacionin.
Një pjesë e gjuhës së përdorur nga FMN-ja përputhej me kritikat e kahershme të SHBA-së, në administrata të ndryshme, dhe të vendeve të tjera të zhvilluara. Paralajmërimi për efektet negative ndaj partnerëve tregtarë gjithashtu i ngjante një vlerësimi të nëntorit nga ekonomistët e Goldman Sachs, të cilët thanë se zgjerimi i kapacitetit eksportues të Kinës përbënte një efekt neto negativ për pjesën tjetër të ekonomisë globale.
Përfaqësuesi i Kinës në bordin ekzekutiv të FMN-së, Zhengxin Zhang, kundërshtoi kritikat, duke deklaruar në një reagim të veçantë se rritja e eksporteve të Kinës në vitin 2025 “u nxit kryesisht nga konkurrueshmëria dhe kapaciteti i saj inovativ”, si edhe nga përshpejtimi i dërgesave për shkak të politikës tregtare të Uashingtonit.
Bordi ekzekutiv i FMN-së, megjithatë, kërkoi një ndryshim të madh në kuadrin e politikave të Kinës, duke paraqitur argumentin vetëm pak javë përpara mbledhjes vjetore të Asamblesë Kombëtare Popullore të vendit, ku do të publikohen objektivat konkrete ekonomike për vitin 2026. Njoftimi erdhi gjatë festës njëjavore të Vitit të Ri Hënor në Kinë.
“Riorientimi i modelit të rritjes së Kinës kërkon transformim të rëndësishëm kulturor dhe të politikave ekonomike,” thanë drejtorët e FMN-së. Ata “bënë thirrje për një përgjigje gjithëpërfshirëse dhe më të fuqishme, që kombinon rritjen e mbështetjes së politikave makroekonomike me reforma strukturore.”
Përveç masave “më ekspansioniste”, përfshirë stimul fiskal, drejtorët thanë se financimi nga qeveria qendrore për të përballuar stokun e madh të pronave të papërfunduara në tregun e dobësuar të pasurive të paluajtshme në Kinë “do të rindërtonte besimin e konsumatorëve”.
Pas rritjes së PBB-së prej 5% në vitin 2025, që përmbushi objektivin zyrtar të Pekinit, FMN pret që zgjerimi të ngadalësohet në 4.5% këtë vit. Shumë ekonomistë parashikojnë që Kina muajin e ardhshëm të caktojë objektivin për 2026 në intervalin 4.5%–5%.
Në fokus ‘pabarazitë’
Raporti vjetor i FMN-së përdori termin “pabarazi të jashtme” më shumë se 10 herë, krahasuar me asnjë përdorim në edicionin e vitit 2024. Fondi vlerësoi suficitin e llogarisë korrente të Kinës në 3.3% të PBB-së vitin e kaluar, më shumë se dyfishi i 1.5% që kishte projektuar në raportin e vitit 2024. Zhang tha se shifra e fondit “dukej tepër e lartë”.
Megjithatë, sipas llogaritjeve të Bloomberg bazuar në të dhëna paraprake të publikuara javën e kaluar, suficiti arriti 3.7% të PBB-së vitin e kaluar, i nxitur nga teprica rekord prej 1.2 trilionë dollarësh e eksporteve ndaj importeve. Ekonomistët e Goldman parashikojnë që suficiti i Kinës të arrijë pothuajse 1% të PBB-së globale brenda pak tre vitesh, më i madhi “i çdo vendi në historinë e regjistruar”.
FMN parashikon që suficiti të ngushtohet në periudhën afatmesme, në 2.2% të PBB-së së Kinës në vitin 2030, ende shumë mbi një “normë” të vlerësuar prej 0.9%.
FMN sugjeroi se një juan më i dobët, i matur në terma të ponderuar sipas tregtisë dhe të korrigjuar për inflacionin, u ka dhënë mallrave kineze avantazh jashtë vendit, ndërsa importet kanë mbetur të dobëta për shkak të kërkesës së brendshme të zbehtë. Stafi vlerësoi se juani ishte rreth 16% i nënvlerësuar, me interval 12.1%–20.7%.
Shpenzime joefikase të politikave
Drejtorët ekzekutivë të FMN-së kërkuan “fleksibilitet më të madh të kursit të këmbimit”. Zhang tha se politika valutore e Pekinit është “e qartë dhe e qëndrueshme”, duke u mbështetur që forcat e tregut të luajnë “rol vendimtar”.
Kina gjithashtu kundërshtoi vlerësimet e stafit të FMN-së për madhësinë dhe joefikasitetin e politikave industriale të Pekinit. Fondi llogariti se kostoja fiskale e masave qeveritare për sektorët prioritarë arrinte rreth 4% të PBB-së në vitin 2023. Ndërsa “krahasimi ndërkombëtar është i vështirë”, fondi vuri në dukje se ndihma shtetërore e Bashkimit Evropian në vitin 2022 ishte më pak se gjysma e kësaj shifre, rreth 1.5%.
Stafi tha se reduktimi i masave industriale “të pajustifikuara” me rreth 2% të PBB-së në afatin e mesëm do të rriste produktivitetin, do të ulte keq-alokimin e burimeve dhe kostot fiskale.
Fondi theksoi se pothuajse një e treta e rritjes vitin e kaluar erdhi nga eksportet neto. Kjo varësi ka “nxitur shqetësime për mbikapacitetin, që përfundimisht mund të motivojë masa tregtare nga partnerët dhe të rrezikojë eksportet e Kinës”, thuhet në raport.
FMN shprehu gjithashtu shqetësim serioz për rënien e vazhdueshme të çmimeve në Kinë dhe dëmin e saj ndaj ekonomisë, ku termat “deflacion” ose “deflacionar” shfaqen më shumë se 60 herë në raport.
“Provat empirike sugjerojnë se presionet deflacionare lidhen pjesërisht me rënien e kërkesës, përfshirë korrigjimin e zgjatur të sektorit të pasurive të paluajtshme,” tha FMN, duke theksuar edhe ngarkesën e madhe të borxhit të qeverive vendore që kufizon aftësinë e tyre për të stimuluar kërkesën.
Fondi vlerësoi se borxhi qeveritar vazhdoi të rritej ndjeshëm në vitin 2025, duke arritur gati 127% të PBB-së, rreth 10 pikë përqindje më shumë se në 2024. Parashikohet të kalojë mbi 135% këtë vit dhe të vazhdojë rritjen deri në vitin 2034./Bloomberg
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje