Bota

Vance paralajmëron Iranin: Duam marrëveshje, por Trump i ka të gjitha opsionet mbi tryezë

Nga Gazeta ‘Si’- Shtetet e Bashkuara mbeten të hapura për një marrëveshje me Iranin, por presidenti amerikan Donald Trump nuk ka hequr dorë nga asnjë alternativë.

Kështu u shpreh zv.presidenti amerikan JD Vance, duke komentuar bisedimet indirekte mes Uashingtonit dhe Teheranit që u zhvilluan të martën në Gjenevë.

Duke folur për Fox News, Vance tha se nga njëra anë “gjithçka shkoi mirë”, por nga ana tjetër theksoi se Irani nuk ka pranuar ende disa “vija të kuqe” të vendosura nga Trump. Sipas tij, interesi kryesor i SHBA-ve në këto negociata është të sigurojnë që Irani të mos pajiset me armë bërthamore.

Vance konfirmoi se ka diskutuar linjat negociuese me të dërguarin special Steve Witkoff dhe me Jared Kushner, duke nënvizuar se presidenti amerikan ka përcaktuar qartë kufij që pala iraniane nuk është ende e gatshme t’i njohë apo t’i adresojë.

“Trump i ka të gjitha opsionet mbi tryezë”, përsëriti ai, pas raundit të dytë të bisedimeve indirekte.

Ndërkohë, udhëheqësi suprem i Iranit, Ali Khamenei, ka ashpërsuar tonet. Në një postim në platformën X, ai kërcënoi se Irani mund të fundosë anijet luftarake amerikane.

“Anijet luftarake janë mjete të rrezikshme, por më e rrezikshme është arma që mund t’i fundosë ato”, shkroi Khamenei, ndërsa bisedimet mbi programin bërthamor vazhdojnë.

Në të njëjtën kohë, Teherani njoftoi mbylljen e përkohshme të Ngushtica e Hormuzit për shkak të stërvitjeve ushtarake me armë zjarri. Ky është rasti i parë që Irani ndërmerr një hap të tillë, në një moment kur SHBA-të kanë shtuar praninë ushtarake në rajon dhe kanë rritur presionin diplomatik.

Stërvitjet janë zhvilluar nga Garda Revolucionare iraniane në Ngushticën e Hormuzit, në Gjirin Persik dhe në Gjirin e Omanit, korridore jetike për tregtinë globale të energjisë. Deri më tani, ushtrime të tilla nuk kishin çuar në mbylljen faktike të kësaj rruge detare.

Ndërsa ministri i Jashtëm iranian ka shprehur optimizëm për ecurinë e bisedimeve, Vance mbetet i kujdesshëm. Ai theksoi se, pavarësisht sinjaleve pozitive, Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura për çdo skenar. Palët pritet të rikthehen në tryezën e negociatave brenda dy javësh, në një klimë të mbushur me tension diplomatik dhe kërcënime ushtarake.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë