Ushqim

Ndoshta karbonarën nuk e sollën amerikanët!

Është zbuluar një artikull i një gazete që e përmend atë në vitin 1939, vite para se Ushtria Amerikane të mbërrinte në Romë

Gazeta Si – Për shumë vite, origjina e karbonarës është gjurmuar që nga prania e Ushtrisë Amerikane në rajonin e Lazio-s gjatë Luftës së Dytë Botërore, një teori që shpesh citohet në përpjekjet për të minimizuar dhe relativizuar rëndësinë dhe jetëgjatësinë që i atribuohet sot asaj që është ndoshta pjata më ikonike e kuzhinës romane në Itali.

Por provat e reja tregojnë përmendjen e parë të karbonarës më 23 gusht 1939, vite para pushtimit amerikan.

Atë ditë, gazeta indoneziane në gjuhën holandeze, “De Koerier”, publikoi një artikull që detajonte rivalitetin midis dy fermave në Trastevere: njëra e quajtur “Umberto”, specialiteti i së cilës ishte rizoto me karkaleca deti dhe tjetra e quajtur “Alfredo”, pjata dalluese e së cilës ishte spageti karbonara.

Dokumenti u zbulua nga gazetarët holandezë, Edwin Winkles dhe Janneke Vreugdenhil, të cilët e ndanë atë me Alberto Grandi-n, profesor i asociuar i Historisë së Ushqimit në Universitetin e Parmës dhe i njohur për librat e tij që sfidojnë mitet e kuzhinës italiane.

Grandi, së bashku me historianin e kuzhinës, Luca Cesari, e konfirmuan dokumentin dhe e raportuan së fundmi. “Historia e karbonarës duhet të rishkruhet plotësisht”, tha Cesari.

Në fakt, dokumenti hedh poshtë teoritë më të besueshme që ishin formuluar vitet e fundit, të cilat gjurmonin origjinën e karbonarës në një takim midis pronarëve të restoranteve romanë dhe ushtarëve amerikanë, të cilët sollën me vete racione vezësh dhe proshutë të ngrirë.

Cesari madje kishte spekuluar se karbonara mund të ishte krijuar direkt në Shtetet e Bashkuara nga diaspora italiane që kishte jetuar atje për disa breza.

“Sipas mendimit tim, amerikanët janë ende në qendër të gjithë kësaj çështjeje, por të paktën emri ka një trend dhe përdorim shumë më kompleks dhe të nuancuar sesa mendonim deri një javë më parë”, tha Grandi.

Përpara këtij zbulimi, kronologjia e karbonarës bazohej në dokumente nga fundi i viteve 1940 dhe fillimi i viteve 1950.

Përmendja e parë e njohur e karbonarës, daton që nga 1 maji 1948, kur artikulli “Sheshi më i bukur në Romë” u botua në “Giornale di Trieste”.

Autori, Renato Mucci i përshkroi spageti karbonara-t të ngrënë në një restorant në Piazza Santa Maria në Trastevere, i cili mund të jetë i njëjti që përmendet në “De Kourier” në artikullin e sapo zbuluar.

Megjithatë, në të dyja rastet, ato janë thjesht referenca për pjatën, ndërsa receta e parë daton që nga prilli i vitit 1952 dhe u zbulua një vit më parë nga kritiku dhe studiuesi i ushqimit, Luca Cesari.

Ajo u botua në gazetën e Lille-s, “La Croix du Nord” dhe u shkrua nga aktori Aldo Fabrizi. Ky version, megjithatë, ishte shumë i ndryshëm nga ai aktual: ai kërkonte dhjamë të gatuar me vaj dhe gjalpë, djathë pecorino dhe vezë të rrahura, të cilat u shtoheshin spagetit në një tas në mënyrë që të gatuheshin me nxehtësinë e makaronave, me djathë parmixhano të shtuar në fund.

Përpara Fabrizi-t, përmendja e parë daton në dhjetor të vitit 1952, kur gazetarja Patricia Bronté botoi një udhëzues restoranti në Çikago, i cili përfshinte recetën e mbledhur në restorantin e Armandos, duke përmendur përbërës të tillë, si parmixhano dhe tagliarini.

Zbulimi i këtij dokumenti bindi shumë historianë se karbonara ishte një pjatë e lindur nga një kombinim i pjatave me makarona romane dhe përbërësve të disponueshëm për ushtarët amerikanë.

Megjithatë, përmendja e vitit 1938 dëshmon se një formë e “pasta alla carbonara” ekzistonte edhe më herët, duke pasur parasysh se amerikanët mbërritën në Lazio në vitin 1944.

Pak pjata të tjera kanë fituar një njohje të tillë vitet e fundit si karbonara, receta e së cilës është bërë objekt rivaliteti, debati dhe sekreti, veçanërisht në Romë, ku interpretimi i saj më bashkëkohor, që paraqet të ashtuquajturën “carbocrema” të bërë nga të verdhat e vezëve dhe djathi, ka zhvilluar një lloj obsesioni.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë