Ka ndodhur

Tiranë, 18-vjeçarja vetëplagoset në dhomën e hotelit! Dy të arrestuar dhe 3 në kërkim

Nga Gazeta Si- Një 18-vjeçare është dërguar në spital e plagosur me armë zjarri mbrëmjen e të premtes.

Fillimisht, dy personat që e kanë dërguar në spital kanë deklaruar se e kanë gjetur te rrethrrotullimi i Fakultetit të Ekonomikut por më pas ka rezultuar se kjo nuk është e vërtetë.

Sipas policisë, nga këqyrja e pamjeve të kamerave të sigurisë, rezultoi se ngjarja ka ndodhur në ambientet e një hoteli në Sauk, ku 18-vjeçarja dyshohet se është vetëplagosur me armë zjarri në gjoks.

E reja me iniciale N. K., pasi është vetëqëlluar, është dërguar në spital rreth orës 00:15 nga M. R., 48 vjeçe dhe E. Gj., 24 vjeç.

Policia ndërkohë ka vënë në pranga nënën e të dashurit të vajzës, M. Gjuta, xhaxhain e tij V. Gjuta, ndërsa janë shpallur në kërkim partneri i 18-vjeçares E. Gjuta, babai i tij  S. Gjuta dhe kushëriri E. Gjuta, të cilët akuzohen për fshehje krimi dhe pastrim gjurmësh.

Ndaj të pestëve rëndojnë veprat penale “Moskallëzim i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Sipas dëshmisë, vajza ka qenë në dhomë te hoteli i të dashurit të saj E. Gjuta ndërkohë që në katin e parë ishin familjarët e tij.

Këta të fundit kanë dëgjuar të shtëna me armë dhe pasi janë ngjitur në dhomën e hotelit kanë gjetur të renë të plagosur.

Nëna e të dashurit të 18-vjeçares, N. M., dhe nipi i saj e kanë dërguar vajzën në spital duke thënë se e kanë gjetur në rrugë të plagosur dhe e kanë ndihmuar, duke mos dashur që të tregojnë se ngjarja ka ndodhur në hotelin e tyre. Ndërkohë, pjesa tjetër e familjes kanë pastruar gjakun në dhomë dhe kanë fshehur armën e krimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë