Bota

Merz pranon krisjen Europë-SHBA: Rendi i vjetër botëror nuk ekziston më!

Gazeta Si – Kancelari gjerman, Friedrich Merz, gjatë fjalës së tij në Konferencën për Sigurinë në Mynih, tronditi Europën dhe riafirmoi besnikërinë ndaj vlerave të Perëndimit, duke pranuar një krisje mes Europës dhe SHBA-ve.

“Rendi i vjetër botëror nuk ekziston më dhe është zëvendësuar nga një panoramë shumë më e pasigurt, e formësuar nga rivaliteti mes fuqive të mëdha dhe nga një vëmendje e re ndaj interesave kombëtare. Ka një krisje mes SHBA-ve dhe Europës. NATO nuk është më e sigurt dhe liria është në rrezik në epokën e fuqive të mëdha”.

Për të treguar se kjo distancë është zgjeruar, Merz iu drejtua një pike kyçe: “Zëvendëspresidenti J. D. Vance e tha shumë hapur një vit më parë këtu në Mynih. Kishte të drejtë. Lufta kulturore e lëvizjes MAGA nuk është e jona. Liria e fjalës tek ne mbaron kur ajo drejtohet kundër dinjitetit njerëzor dhe Kushtetutës. Ne nuk besojmë në tarifat doganore dhe proteksionizëm, por në tregti të lirë. Qëndrojmë besnikë ndaj marrëveshjeve për klimën dhe ndaj OBSH-së, sepse jemi të bindur se vetëm së bashku mund të zgjidhim sfidat globale”, – tha ai.

Sipas kancelarit, ‘shprehja më e qartë’ e këtij realiteti të ri ka qenë lufta e Rusisë kundër Ukrainës. Merz kritikoi gjithashtu Kinën, duke deklaruar se ekonomia e dytë më e madhe në botë “shfrytëzon sistematikisht varësitë e të tjerëve”.

Në një epokë të fuqive të mëdha, liria “nuk është e garantuar, është në rrezik”, theksoi kancelari gjerman. “Politika e fuqive të mëdha në Evropë nuk është një opsion për Gjermaninë”, vazhdoi ai.

“Udhëheqja e bazuar në partneritet është e mirëseardhur, por fantazitë hegjemonike jo. Ne gjermanët nuk do të veprojmë më kurrë vetëm. Ky është mësimi i qëndrueshëm që kemi nxjerrë nga historia jonë. Ne e mbrojmë lirinë tonë së bashku me fqinjët, aleatët dhe partnerët tanë”, shtoi kancelari.

“Një Evropë sovrane është përgjigjja jonë më e mirë ndaj kohërave të reja. Bashkimi dhe forcimi i Evropës është detyra jonë më e rëndësishme sot, – vazhdoi Merz. – Evropa jonë duhet të përqendrohet në atë që është thelbësore: ruajtjen dhe rritjen e lirisë, sigurisë dhe konkurrueshmërisë sonë”. “Evropa duhet të bëhet një lojtare e vërtetë globale, me strategjinë e saj të sigurisë”. Dhe kjo “jo si zëvendësim për NATO-n”, por si shtylla e saj e fortë.

Konferenca e Sigurisë është një aktivitet vjetor ku marrin pjesë dhjetëra krerë shtetesh dhe qeverish, si dhe përfaqësues institucionalë.

Vitin e kaluar, Zëvendëspresidenti amerikan, J.D. Vance mbajti një fjalim të ashpër kundër Bashkimit Evropian, duke e akuzuar atë, ndër të tjera, për një qasje tepër tolerante ndaj emigracionit dhe për shtypjen e lirisë së fjalës.

Këtë vit, Sekretari i Shtetit, Marco Rubio do të përfaqësojë Shtetet e Bashkuara në Mynih dhe është planifikuar të flasë të shtunën, 14 janar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë