Shendet

Studimi/ Kafeja dhe çaji me kafeinë mund të mbrojnë trurin nga demenca

Nga Gazeta ‘Si’- Nuk ke nevojë të heqësh dorë nga doza e përditshme e kafeinës në mëngjes për të mbrojtur trurin nga demenca në të ardhmen.

Hulumtimet e reja tregojnë se konsumi ditor i kafesë ose çajit – po, edhe atyre me kafeinë – lidhet me shëndet më të mirë njohës në afat të gjatë.

Sipas studimit të publikuar në JAMA, ndikimin më të madh e panë ata që konsumonin dy deri në tre filxhanë kafe në ditë ose një deri në dy filxhanë çaji.

Personat që pinin kafe në moshën e mesme kishin rreth 18% më pak gjasa të zhvillonin demencë më vonë, ndërsa ata që pinin çaj kishin një rrezik 14% më të ulët, tha autori kryesor i studimit, Dr. Daniel Wang, profesor asistent në departamentin e nutricionit në Harvard T.H. Chan School of Public Health në Boston.

Wang dhe ekipi i tij nuk vunë re të njëjtat përfitime te pijet pa kafeinë, bazuar në të dhënat e më shumë se 130 mijë pjesëmarrësve në Nurses’ Health Study dhe Health Professionals Follow-up Study.

Studime të tjera kanë mbështetur idenë se kafeja me kafeinë mund të lidhet me plakje më të shëndetshme dhe se kafeja dhe çaji me kafeinë mund të ulin rrezikun për sëmundje si ato të zemrës.

Mesazhi kryesor është se provat nuk tregojnë se duhet të heqësh dorë nga kafeja e mëngjesit për të qenë i shëndetshëm, tha Dr. David Kao, profesor i asociuar i mjekësisë në Universitetin e Kolorados Anschutz Medical School. Ai nuk ishte i përfshirë në studimin e fundit.

Forca e këtij studimi qëndron pjesërisht te përdorimi i të dhënave afatgjata nga Nurses’ Health Study dhe Health Professionals Follow-up Study, të cilat përfshijnë vlerësime të përsëritura të dietës.

Megjithatë, studimi ishte vëzhgues, që do të thotë se studiuesit shohin lidhje, por nuk mund të thonë me siguri se kafeina shkaktoi plakje më të shëndetshme.

Lidhja mes tyre mund të shpjegohet edhe nga faktorë të tjerë, thonë ekspertët. Për shembull, mund të ketë një përbërës tjetër të shëndetshëm përveç kafeinës, por procesi i heqjes së kafeinës e largon edhe atë. Ose, konsumuesit e kafesë mund të kenë dieta më të mira, status socioekonomik më të lartë ose zakone të tjera të shëndetshme – si për shembull zgjidhja e fjalëkryqeve në mëngjes gjatë kafesë – tha Kao.

Edhe pse mund të duket logjike të rritet konsumi i kafeinës bazuar në studime të tilla, provat nuk janë aq të forta sa për të rekomanduar ndryshim sjelljeje, shtoi Kao.

“Më shumë nuk do të thotë domosdoshmërisht më mirë,” tha Dr. Sara Mahdavi, profesoreshë e asociuar në shkencat e ushqimit në Universitetin e Torontos.

“Askush nuk duhet të fillojë të pijë kafe vetëm për mbrojtjen e trurit.”

Personat që vuajnë nga ankthi, pagjumësia, çrregullimet e ritmit të zemrës ose që kanë pasur reagime të këqija ndaj kafeinës duhet të tregojnë kujdes të veçantë, shtoi ajo.

Pse kafeja dhe çaji?

Kafeina mund të mos jetë i vetmi përfitim nga konsumimi i kafesë dhe çajit.

Kafeja, për shembull, “përmban kafeinë së bashku me qindra përbërës bioaktivë që ndikojnë inflamacionin, metabolizmin e glukozës, funksionin vaskular dhe stresin oksidativ,” tha Mahdavi.

Sipas Kao-s, kafeja mund të ulë inflamacionin, presionin e gjakut dhe stresin oksidativ (i cili mund të çojë në dëmtime të qelizave dhe indeve), duke ndikuar pozitivisht në shumë shenja fizike të plakjes.

Energjia që vjen nga filxhani i mëngjesit mund të ndihmojë gjithashtu në ruajtjen e zakoneve të tjera të shëndetshme, si ushqyerja e mirë ose aktiviteti fizik, shtoi ai. Megjithatë, është e rëndësishme që kafeja ose çaji të mos jenë i vetmi fokus.

“Aktiviteti i rregullt fizik, gjumi i mirë, mos-pirja e duhanit, menaxhimi i presionit të gjakut dhe diabetit, angazhimi social dhe një dietë cilësore – kryesisht me ushqime bimore – janë shumë më ndikues sesa çdo pije e vetme,” tha Mahdavi.

“Kafeja nuk është zëvendësim për zakonet e provuara që mbrojnë shëndetin e trurit,” përfundoi ajo.// CNN


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë