Bota

Shtëpia e Bardhë ‘nuk garanton’ se ICE do qëndrojë larg qendrave të votimit në nëntor

Gazeta Si – “Nuk mund të garantoj se nuk do të ketë agjentë të ICE në qendrat e votimit në nëntor”, kur të mbahen zgjedhjet e mesit të mandatit në SHBA, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, në një konferencë për shtyp.

Leavitt u pyet kështu, sepse Steve Bannon, ish-strategu i Trump, pretendoi në mënyrë të rreme në podcastin e tij këtë javë se emigrantët pa dokumente votuan masivisht në zgjedhjet e mëparshme.

“Mund të jeni të sigurt se agjentët e ICE do të patrullojnë qendrat e votimit në nëntor”, tha Bannon.

Më herët këtë javë, Trump tregoi se dëshiron të “nacionalizojë” zgjedhjet e mesit të mandatit dhe t’i “marrë ato nën kontroll” në disa shtete, ku ai pretendon se ka pasur mashtrime në zgjedhjet e mëparshme (një pretendim që është hetuar dhe hedhur poshtë vazhdimisht).

FBI-ja gjithashtu bastisi një qendër votimi në Xhorxhia, ku Trump humbi përfundimisht zgjedhjet e vitit 2020 ndaj Joe Biden.

Republikanët gjithashtu kanë një propozim të gatshëm për të reformuar rrënjësisht ligjet zgjedhore, duke nxitur më tej aludimet për mashtrime të mundshme zgjedhore.

Leavitt thotë se, ndërsa nuk mund ta garantojë, nuk ka plane konkrete për të vendosur agjentë të ICE-së në të ardhmen e afërt: “Nuk e kam dëgjuar kurrë presidentin të flasë për një plan formal për të vendosur ICE në qendrat e votimit”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë