Editorial

Burgosja për kundravajtje rrit çmimin e korrupsionit

Nga Gazeta Si- Nuk e keni harruar kohën kur u bënë të shpeshta, gati të përditshme, burgosjet e shoferëve që kishin konsumuar alkool tej normës së lejuar me ligj. Atëherë socialistët kishin pak kohë që kishin ardhur në pushtet. Bashkë me burgimet për vjedhjen e energjisë elektrike, kjo u kthye në një nga masat-lajtmotiv të qeverisë. Edhe pse e fortë, u mirëprit nga qytetarët, sepse shpresonin rikthimin e rendit në shinat e hekurta të ligjit.

Ishin pa fund postimet në rrjetet sociale të ministrave të qeverisë se si forca e ligjit ndëshkonte qytetarët; një mesazh i qartë se shteti ishte serioz për të mbrojtur jetën. Policëve iu vendosën edhe kamera në trup (edhe ky një lajm i bujshëm për qeverinë), që të mos korruptoheshin. Dilnin shpesh video nga arrestimet në këto raste. Ambienti social u mbingarkua me shembuj “edukues” dhe vetëmburrës të pushtetit.

Por koha rrodhi, ashtu siç rrjedh uji në rrogoz. Sot, kamerat në trup të policisë nuk janë më, dhe “faljet” për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit janë bërë të rëndomta kundrejt pagesave nën dorë.

Kjo qasje e fortë e shtetit dikur shumëfishoi korrupsionin dhe zinxhirin e përfituesve, por nuk e minimizoi veprën penale.

Nëse dikush ishte i dehur në timon dhe polici kërkonte një sasi lekësh, me vajtjen në burg u ndryshua çmimi dhe përfituesi, por jo veprimi. Të ndëshkuarit duhej të paguanin prokurorin ose gjyqtarin dhe shuma u trefishua. Në disa raste, mund të paguhej direkt edhe polici, nëse ishe me fat, por ryshfeti ishte më i lartë se para ndryshimit të ligjit.

Duke treguar këtë situatë, nuk synojmë të zerojmë efektin e ligjit, por të hedhim dritë mbi një mundësi tjetër: që jo domosdoshmërisht ndëshkimet e forta sjellin rendin, sidomos kur ato shndërrohen në instrumentin pothuajse të vetëm të qeverisjes.

Pak ditë më parë u votuan ndryshimet në Kodin Penal, sipas të cilave parkimi i dyfishtë dhe pengimi i kalimit të ambulancës, policisë etj., dënohen me burg. Potencialisht, janë të gjitha mundësitë që edhe këtu forca ndëshkuese e ligjit të bjerë në të njëjtën grackë, sepse është një fenomen i njohur edhe në literaturën ndërkombëtare: sa më të ashpra të jenë dënimet, aq më i lartë bëhet çmimi i korrupsionit, nëse zbatimi i ligjit nuk është i sigurt dhe i pandërprerë (M. Kugler, 2006).

Me fjalë të tjera, individët nuk frikësohen nga sanksioni në vetvete, por përpiqen të gjejnë mënyra për ta shmangur atë – shpesh përmes ryshfetit ose lidhjeve informale.

Studime empirike dhe eksperimentale kanë treguar se gjobat dhe dënimet shumë të rënda nuk pengojnë domosdoshmërisht kundërvajtjet. Përkundrazi, në mjedise ku korrupsioni është i përhapur, individët zgjedhin të paguajnë për t’i shmangur ndëshkimet, duke e kthyer kështu ashpërsinë e dënimit në një faktor që ushqen korrupsionin (ScienceDirect, 2024). Analiza ekonomike e M. Kugler tregon se rritja e sanksioneve pa një sistem efektiv zbatimi prodhon efekte të padëshiruara: çmimi i ryshfetit rritet, por veprimi i kundërvajtjes nuk zvogëlohet domosdoshmërisht.

Nga ana teorike, kjo lidhet me parimet e parandalimit. Siç argumentojnë studiuesit e Max Planck Institute, siguria që shkelësi do të kapet dhe ndëshkohet ka më shumë rëndësi se vetë madhësia e dënimit; për këtë arsye, dënimet ekstreme pa zbatim efektiv nuk e frenojnë gjithmonë shkelësin (Wright, 2010). Nëse individi e di se kapja është e mundshme dhe e shpeshtë, edhe dënimi mesatar është efektiv. Përkundrazi, sanksionet ekstreme humbasin vlerën kur zbatimi është i pasigurt.

Ky fenomen ka pasoja të rëndësishme për politikën publike. Dënimet e forta janë të nevojshme për të vendosur standarde morale dhe ligjore dhe për të treguar se shteti merr seriozisht mbrojtjen e jetës dhe pasurisë. Por pa një sistem të fuqishëm zbatimi dhe mekanizma transparentë kundër korrupsionit, ato nuk arrijnë efektin e dëshiruar. Madje, në disa raste, krijojnë efektin e kundërt, duke minuar besimin te institucionet dhe legjitimitetin e shtetit.

Për të ndërtuar një sistem ligjor funksional dhe të besueshëm, masat represive duhet të kombinohen me politika që forcojnë zbatimin e ligjit dhe transparencën: teknologji reale monitorimi, mekanizma raportimi dhe ndëshkim të korrupsionit në çdo hallkë. Studimet tregojnë se një qasje e balancuar, ku dënimet janë të arsyeshme por zbatimi është i sigurt, është më efektive sesa dënimet ekstreme që nuk aplikohen dot në praktikë (ScienceDirect, 2024; Wright, 2010).

Mesazhi është i qartë: masa të ashpra pa zbatim efektiv nuk garantojnë rend dhe siguri. Për të pasur një shoqëri të drejtë dhe funksionale, ligjet duhet të jenë të forta, por edhe të zbatohen me kujdes, pa korrupsion dhe me transparencë reale. Vetëm kështu mund të ndërtohet një sistem ligjor i besueshëm dhe një shoqëri ku qytetarët ndihen njëkohësisht të mbrojtur dhe të përgjegjshëm.

Socialistët e shkolluar mund t’i dinë këto. Ose i kanë harruar dhe nuk i rilexojnë, ose i anashkalojnë duke zgjedhur rrugën më të lehtë dhe më pak të mundimshme të qeverisjes afatshkurtër që favorizon “të fortët” dhe të pasurit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë