Nga Gazeta ‘SI’ – Sigurimi i detyrueshëm për banesat pritet të zgjerohet, duke përfshirë edhe dëmet e shkaktuara nga përmbytjet, përveç atyre nga tërmetet. Qeveria ka ndryshuar skemën e parashikuar, duke shtuar edhe këtë rrezik natyror në projektligj, pak javë pasi dhjetëra qytete të Shqipërisë u gjendën nën ujë.
Sipas nismës ligjore, qëllimi i sigurimit është dëmshpërblimi i qytetarëve për dëmet që këto katastrofa natyrore mund t’u shkaktojnë banesave të tyre. Përfshirja e përmbytjeve në skemë pritet të shoqërohet edhe me rritje të primit të sigurimit, niveli i të cilit do të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
Për administrimin e skemës do të krijohet Fondi Kombëtar për Sigurimin e Detyrueshëm nga Tërmetet dhe Përmbytjet. Ky fond do të ketë në përgjegjësi sigurimin jo vetëm të banesave, por edhe të ambienteve brenda tyre që përdoren si njësi shërbimi, zyra apo për qëllime të tjera të ngjashme.
Edhe pse skema parashikohet të jetë shtetërore, projektligji i lë hapësirë edhe kompanive private të sigurimit. Ato do të veprojnë si ndërmjetës, duke ofruar produktin e sigurimit për qytetarët dhe duke ia transferuar pagesat Fondit Kombëtar, kundrejt një komisioni.
Për shtresat sociale në nevojë, parashikohet që primi i sigurimit të financohet nga shteti. Sigurimi i detyrueshëm do të mbulojë vetëm dëmet në pronë dhe jo dëmet që lidhen me jetën e individëve.
Në të njëjtin projektligj, qeveria thekson se qytetarët që refuzojnë të lidhin kontratën e sigurimit të detyrueshëm do të penalizohen me kufizim të aksesit në shërbime publike, përfshirë shërbimet kadastrale, shërbimet elektronike përmes portalit e-Albania, si dhe shërbimet e ofruara nga Qendra Kombëtare e Biznesit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



