Nga Gazeta ‘Si’- ‘Fokusi kryesor i Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk është më Europa dhe ky ndryshim është strukturor dhe jo i përkohshëm.’
Kjo ishte deklarata që beri shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Europian Kaja Kallas ndërsa Brukseli po meson të përshtatet me mënyrën sesi Presidenti Amerikan Donald Trump ka riformësuar marrdhëniet transatlantike.
Kallas theksoi se, ndonëse Bashkimi Europian vazhdon të synojë lidhje të forta transatlantike dhe Shtetet e Bashkuara do të mbeten aleat, Europa duhet të përshtatet me realitete të reja.
Ajo nënvizoi se “NATO duhet të bëhet më europiane për të ruajtur forcën e saj”.
“NATO duhet të bëhet më europiane për të ruajtur forcën e saj dhe për këtë duhet të ketë një veprim të menjëhershëm nga ana e Bashkimit Europian. Ne duhet të sigurohemi që të gjitha iniciativat tona të sigurisë dhe mbrojtjes të mbeten pjesë plotësuese për NATO. E thënë shkurt Bashkimi Europian duhet të sinkronizojë përpjekjet sëbashku me NATO-n për të garantuar një mbrojtje më të mirë. Më lejoni të jem e qartë, ne i duam marrëdhëniet e forta transatlantike, Shtetet e Bashkuara mbeten partneri ynë, por Europa nuk është më qendra kryesore e Gravitetit për Washingtonin.”
Kaja Kallas deklaroi se Bashkimi Europian duhet të veprojë me urgjencë për të forcuar mbrojtjen e Unionit duke theksuar se Administrata e Presidentit Amerikan Donald Trump nuk ka nguruar të vendosë në pikëpyetje marrdhëniet transatlantike pavarësisht një aleance historike.
Kaja Kallas e konsideroi Rusinë kërcënimin më të madhe për sigurinë europiane, Kinën një sfidë afatgjatë ndërsa shtoi se Lindja e Mesme mbetej një rajon krejtësisht i paparashikueshëm.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



