Menaxhim

Paketa e Maleve/ Si mund të merret pronësia e tokës në shfrytëzim, me apo pa investim

Nga Gazeta ‘SI’ – Ministri i Pushtetit Vendor, Ervin Demo, në një dalje për mediat, sqaroi se cilat janë dy kategoritë që lehtësohen dhe shmangin konfliktet e pronës me anë të Paketës së Maleve.

Sipas ministrit, Paketa do të sheshojë çdo lloj konflikti mbi pronësinë teksa do të tërheqë dhe investime madhore në zonat malore të vendit.

“Paketa e Maleve, nëse i referohemi ligjit, është e qartë për kategoritë që përfitojnë nëpërmjet saj. Nëse i referohemi dy kategorive,ata banorë që disponojnë një pronë të caktuar dhe e kanë përdorur për më shumë se 10 vjet, por nuk kanë dokumentacion, e kanë të pamundur të bëjnë investime.

Për këto raste, ata kanë të drejtë të aplikojnë, duke garantuar se ata nuk kanë konflikte sa i përket pronësisë. Procesi në vetvete është shumë transparent sepse ndiqet në nivel vendor.

Kategoria e dytë janë rastet kur banorët brenda vetes së tyre kanë ndarë ose u janë referuar pronave në bazë të pronësive të vjetra të familjeve të tyre, përshembull “kjo kodra këtu i takon banorit x” dhe banorët e kanë respektuar. Por ata nuk kane letra, edhe në këto raste u jepet e drejta të investojnë në territor”, sqaroi Demo.

Ministri tregoi se pasi bëhen aplikimet nëpër bashki, kryhet verifikimi, bëhet shpallja publike për 45 ditë dhe nëse nuk ka asnjë konflikt, merret vendimi nga qeveria.

Më tej ai theksoi se deri më tani janë miratuar 69 zona prioritare në 13 bashki; Vau i Dejës, Klos, Mat, Shkodër, Shijak, Kukës, Skrapar, Elbasan, Përmet, Belsh, Memaliaj, Tepelenë dhe Dibër.

“Fluksi më i lartë i aplikimeve lidhet me bashkitë që kanë territore më të mëdha. Bashkia Shkodër ka shfaqur interes shumë të lartë, po ashtu edhe Kukësi, por edhe bashkitë e tjera po ndjekin procesin me vëmendje. Do të kemi 1 mijë raste në nivel vendi të aplikantëve ku duhet përmendur se 500 aplikantët e parë marrin përfitime, përjashtohen nga taska e infrastrukturës, më pas nga tatim-fitimi për një periudhë 10-vjeçare” u shpreh Demo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë