Ngjarje

Dhoma e Avokatisë kundër shkrirjes së Kadastrës së Vlorës: Cenon aksesin e qytetarëve, të anulohet vendimi

Nga Gazeta Si- Dhoma e Avokatisë Vlorë ka reaguar ashpër kundër mbylljes së Kadastrës.

Në një deklaratë, Dhoma e Avokatisë shprehet se zhvendosja drejt Tiranës është i papranueshëm, cenim i aksesit të qytetarëve në shërbime, goditje direkte ndaj profesionit të avokatit dhe funksionit të drejtësisë, si edhe diskrimin i hapur territorial që favorizon centralizimin në Tiranë.

Ndërkaq, Dhoma e Avokatisë bën thirrje të rishikohet vendimi dhe të ndërpritet largimi i institucioneve nga Vlora.

“Ky veprim nuk është një rast i izoluar, por vazhdim i një politike sistematike të zbrazjes institucionale të Vlorës, e cila ka arritur kulmin me largimin e Gjykatës Administrative dhe Gjykatës së Apelit, duke e shndërruar qytetin në një periferi institucionale pa peshë në hartën e drejtësisë shqiptare”, thuhet në reagimin e Dhomës së Avokatisë.

Largimi i institucioneve shtetërore nga Vlora sipas Dhomës së Avokatisë përbën cënim të rëndë të aksesit në drejtësi dhe shërbime publike për mijëra qytetarë, goditje direkte ndaj profesionit të avokatit, funksionimit të sistemit të drejtësisë dhe sigurisë juridike, diskriminim territorial të hapur, që favorizon centralizimin ekstrem në Tiranë dhe braktis qytetet historike e strategjike të vendit.

“Vendime të tilla, të marra pa konsultim me komunitetin juridik dhe pa asnjë analizë reale të pasojave, përbëjnë shkelje të parimeve të shtetit të së drejtës dhe decentralizimit administrative”.

Dhoma Vendore e Avokatisë Vlorë kërkon rishikimin e menjëhershëm dhe anulimin e vendimit për zhvendosjen e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, ndërprerjen e politikës së largimit të institucioneve nga Vlora, rikthimin e funksioneve gjyqësore dhe administrative.

Nëse kjo prirje vazhdon, Dhoma Vendore e Avokatisë Vlorë thotë se ka të drejtën të ndërmarrë çdo veprim institucional dhe ligjor, në bashkëpunim me aktorë të tjerë vendorë dhe kombëtarë, për të mbrojtur interesin public.

“Vlora nuk do të heshtë dhe nuk do të pranojë të zhvishet nga institucionet e saj”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë